Më shumë se 830 profesionistë të sistemit shëndetësor në Mbretërinë e Bashkuar dhe përfaqësues të organeve të rëndësishme mjekësore në këtë vend, i kanë dërguar një letër të hapur kryeministrit Rishi Sunak me firmat e secilit prej tyre, ku shprehin “shqetësimin e thellë” se plani i qeverisë për të dërguar azilkërkuesit në Ruandë, do t`u shkaktojë një “dëm katastrofik mendor dhe fizik” personave që kërkojnë thjesht siguri.
Në mesin e firmëtarëve janë BMA, British Medical Association si dhe Kolegji Mbretëror të mjekeve obsteter e gjinekologe. “Nënshtrimi i njerëzve që kërkojnë strehim në Mbretërinë e Bashkuar, shumë prej të cilëve kanë kushte edhe ashtu të vështira të shëndetit mendor apo histori torturash, trafikimi e traumash të tjera ndaj një procesi të tillë çnjerëzor përbën një çështje tejet shqetësuese për komunitetin mjekësor”, thuhet në letër.
Ashtu siç ndodhi me Brexitin, edhe planet e fundit të ekzekutivit në Londër për të dërguar azilkërkues në Ruandë e kanë përcarë ndjeshëm opinionin publik në Britaninë e Madhe. Sipas një sondazhi të kryer nga thinktank-u More In Common, i kryer këtë muaj, pothuajse gjysma e të anketuarve apo 46% e mbështesin marrëveshjen e shpallur gati një vit më parë.
Ujdia ka kushtuar deri tani 140 milionë paund, megjithëse asnjë azilkërkues nuk është dërguar ende në vendin e Afrikës Lindore. Letra u dorëzua përpara se cështja të shqyrtohet në gjykatën e apelit pas ankesës së paraqitur nga një grup azilkërkuesish nga vende si Irani, Iraku dhe Siria së bashku me shoqatën bamirëse Asylum Aid.
Top Channel