Për herë të parë për një program afatgjatë dhe jo vetëm një ndeshje, është mbledhur një grup prej rreth 30 ish-futbollistësh të Kombëtares për të bërë të ashtuquajturën përfaqësuesja kuqezi e veteranëve.
Nën drejtimin e trajnerit Sulejman Mema, kuqezinjtë e rritur tashmë do të përpiqen të zhvillojnë disa ndeshje miqësore. Është përzgjedhur nga grupmoshë nga datëlindja 1975 dhe sipër, për të patur një nivel fizik disi të përballueshëm për ndeshje të kësaj kategorie.
“Një nga idetë është që ne të zhvillojmë ndeshje krahas ekipit kombëtarë, si suport i Kombëtares. Pra nëse ekipi i parë do të luajë me një kundërshtarë, përpara do të luajmë ne me veteranët e asaj përfaqësueseje, si këtu ashtu edhe në transfertë. Jemi në tratativa me Gjermaninë për të shkuar që të bëjmë një ndeshje në Frankfurt”, u shpreh trajneri i Kombëtares së veteranëve.
Një ndër emrat e skuadrës që ka filluar seancat stërvitore është Andi Lila.
“Kur dëgjoj fjalën veteran se si më duket, por jeta kështu është brezat kalojnë dhe sot jam një veteran i mirë, shpresoj që atë që bëra kur isha në karrierë ta bëjë edhe si veteran”, i shpreh Andi Lila.
Atmosfera është vërtet shumë entuziaste mes këtyre djemve që sot janë trajnerë të të rriturve apo fëmijëve.
“Kështu po ti shohësh në pamje të parë duken mirë por t’i shohim në fushë. Kemi edhe profesor Sulën që do të na rinojë, do të na çojë 20 vjet mbrapa, megjithatë besoj se nga ana teknike do të jemi mirë, problem do të jetë pak ana fizike, por do të mundohemi të bëjmë më të mirën”, u shpreh Arjan Pisha, ish futbollist i Kombëtares.
Dorian Bylykbashi është një tjetër emër që sportdashësit e kujtojnë me nostalgji për mënyrën e lojës të tij të bukur.
“E gjithë jeta kushtuar futbollit, kënaqësi që pas kaq vitesh takoj gjithë këta djem të mrekullueshëm dhe super sportistë. Jo gjithmonë takohemi pasi edhe jeta të bën që të mos takohemi shpesh. Sigurisht dhe rikthimi në fushat e blerta në një ambient kaq të mrekullueshëm është kënaqësi”, tha ish-futbollisti i kombëtares Dorian Bylykbashi.
“Unë nuk kam kohë që jam shkëputur dhe mbase jam një çikë më në formë se të gjithë këta, por u takuam pas shumë kohësh dhe me një pjesë nuk kam luajtur fare, më pëlqen kjo ide dhe shpresoj që të vazhdojë edhe për brezat e ardhshëm”, tha Amir Hyka.
Nevil Dede ish-trajner i kombëtares së moshave dhe disa klubeve në futbollin tonë sot vesh këpucët si lojtarë sërish.
“E bukura është që ndihesh mirë kur shkel barin sërish. Është një ndjesi tjetër kur ti vesh këpucët dhe e mendon veten si dikur kur ishe sportist, nuk e vret mendjen për asgjë, ke përgjegjësi vetëm për topin tënd dhe janë të tjerët që mbajnë përgjegjësi është ndryshe nga profesioni që bëjmë tani. Jemi plus minus një vit diferencë, jemi një brez. Ndonjëherë kur nuk të përgjigjen këmbët thua me vete, a kam luajtur ndonjëherë futboll, sepse të duket shumë e vështirë shumë e rëndë”, u shpreh Nevil Dede.
Top Channel