Lëvizjet e autorit para dhe pas vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin treguan se atentati ishte i mirëmenduar.

Autori dhe bashkëpunëtorët jo vetëm studiuan lëvizjet e objektivit dhe vendin e ngjarjes, por edhe rrugën që duhet të ndiqnin kur u larguan të pa shqetësuar nga policia.

Pas kryerjes së vrasjes në lokalin Koral në orën 13.30 të së enjtes autori i krimit i maskuar u largua nga vendngjarja me të njëjtin motor që erdhi. Mjeti edhe pse jo i shpejtë i mundësoi atij largimin pa u ndeshur me asnjë patrullë policie.  Nga pamjet e kamerave të sigurisë vrasësi me motor humbet në zonën e Gjadrit.

Hetimet disaditore të policisë kanë zbuluar se vrasësi është larguar në drejtim të fshatit Kukel ku e kanë kapur disa kamera sigurie. Pikërisht në këtë fshat , vrasësin e priste një makinë Land Rover Defender, në të cilën ai hipi së bashku me motorin dhe u largua në drejtim të Velipojës.

Top Channel ka siguruar disa pamje të makinës së atentatorit së bashku me bashkëpunëtorin rreth 50 minuta pas vrasjes në zonën e Gjadrit dhe të Velipojës.  Makinë me targa zvicerane dyshohet se e ka pritur atentatorin një rrugicë të pa mbuluar nga kamerat që dyshohet se e kanë studiuar më herët. Këto pamje po vëzhgohen me imtësi për të bërë të mundur identifikimin e mjetit, por edhe të personave në të.

Pavarësisht provave të ndryshme materiale të administruara, pamjeve të kamerave të sigurisë dhe dëshmive të ndryshme policia, nuk është ende pranë identifikimit të autorit apo bashkëpunëtorëve në vrasjen e biznesmenit. Deri në gjetjen e një prove të vlefshme policia dhe prokuroria po thellojnë pista hetimore që lidhen kryesisht me aktivitetin social politik dhe ekonomik të viktimës por edhe gjakmarrjen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA