Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje qytetarëve në katër komunat në veri të Kosovës, që të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të 23 prillit.

Osmani tha se pavarësisht se disa qytetarë të veriut kanë qenë “cak i kërcënimeve dhe frikësimeve”, pjesëmarrja në zgjedhje është në të mirë të banorëve të tyre.

“E kuptoj që shumë prej jush keni qenë cak i kërcënimeve dhe frikësimeve që janë bërë javët e fundit nga struktura kriminale me mbështetje të Beogradit, me qëllim që t’ju detyrojnë të hiqni dorë nga zëri dhe fuqia juaj për ta formësuar të ardhmen e komunave tuaja. Megjithatë, dua t’ju siguroj se të gjitha institucionet e Kosovës po bëjnë gjithçka për të siguruar që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme dhe që siguria juaj të jetë e garantuar. Prandaj, ju bëj thirrje që të refuzoni ata që vijnë te ju me kërcënime dhe shantazhe. Ju inkurajoj që ta dërgoni një mesazh të fortë dhe të qartë me pjesëmarrjen tuaj në zgjedhjet lokale të 23 prillit 2023”, tha Osmani shkruan Radio Evropa e Lirë.

Osmani shtoi se me pjesëmarrjen në zgjedhje, serbët do të dërgojnë një “mesazh të fortë” për ata që tha se po “frikësojnë dhe shtypin” popullatën në veri “se nuk do të mund t’ju heshtin dhe se zyrtarët e zgjedhur nga ju do t’ju shërbejnë juve dhe interesit të të gjithë qytetarëve të komunës”.

Më 23 prill, në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan do të mbahen zgjedhjet për kryetarët e rinj të komunave. Ndërkaq, në Zveçan dhe Leposaviq do të votohet edhe për përbërjet e reja të asambleve komunale.

Në zgjedhje garojnë 10 kandidatë për kryetarë të komunave dhe vetëm një është nga radhët e komunitetit serb. Partia kryesore e serbëve në Kosovë, Lista Serbe nuk merr pjesë në zgjedhje dhe ka bërë thirrje për bojkotimin e tyre.

Zgjedhjet po mbahen pasi më 5 nëntor të vitit 2022, kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit e Zubin Potokut nga Lista Serbe, dhanë dorëheqje.

Ata, së bashku me asamblistët komunalë dhe zyrtarë të tjerë nga sektori i sigurisë e drejtësisë, e morën këtë vendim në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës, që i obligonte serbët t’i zëvendësonin targat e makinave të tyre, të lëshuara nga Serbia, me ato RKS – Republika e Kosovës.

Zgjedhjet fillimisht ishin caktuar për 18 dhjetor të vitit 2022, por ishin anuluar për shkak të tensioneve në veri të Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ndërkaq, tha se ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve. Kreu i KQZ-së, Kreshnik Radoqini, gjatë mbledhjes së mbajtur më 22 prill bëri thirrje që qytetarët e katër komunave në veri të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës.

“Ne si Komision kemi ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme për të organizuar zgjedhjet. Kemi të gjitha vendvotimet të cilat i kemi miratuar. Kemi vendosur kontejnerët në vendet e caktuara dhe çdo gjë është gati për fillim të zgjedhjeve nesër. Prandaj, në emër të KQZ-së unë ftoj të gjithë qytetarët e komunave të veriut që të shfrytëzojnë të drejtën kushtetuese për të dalë në zgjedhje dhe në këtë formë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre legjitimë dhe të ndërtojnë institucionet e tyre demokratike”, tha ai.

Një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje palëve për përmbajtje dhe ka kërkuar që procesi zgjedhor të zhvillohet në mënyrë paqësore.

Një patrullë policore qëndron pranë një kontejneri të vendosur në Zubin Potok. Kësaj here do të jenë 13 kontejnerë të vendosur në disa lokacione në veri, që do të përdoren për të votuar.

Në zgjedhjet e 23 prillit, të hapura do të jenë 19 qendra votimi, 13 prej të cilave do të jenë të vendosura në kontejnerë. Numri i përgjithshëm i qytetarëve që mund të votojnë, sipas KQZ-së, është 45.095.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA