Partia e Serbëve të Kosovës, një subjekt politik me seli në komunën e Leposaviçit në veriun e banuar me shumicë serbe, hoqi dorë të enjten nga pjesëmarrja në zgjedhjet për kryetarët e katër komunave veriore, që pritet të mbahen të dielën më 23 prill.

Kryetari i kësaj partie, Aleksandar Jabllanoviç, tha se nuk ka kushte të përshtatshme për zhvillimin e zgjedhjeve, ndërsa përmendi se votimet e së dielës do të mbahen në kontejnerë dhe nën praninë e forcave të sigurisë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka vendosur kontejnerë nëpër rrugët kryesore në veri ku gjithsej do të ketë 19 qendra votimi. Tërheqja e Partisë së Serbëve të Kosovës, ka bërë që në garë të mbetet vetëm një kandidat nga radhët e komunitetit serb, që do të konkurrojë për postin e kryetarit të komunës së Zveçanit.

Postet e kryetarëve të komunave në veri të Kosovës mbetën bosh në nëntor të vitit të kaluar kur përfaqësuesit serbë në zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, mes tensioneve për shkak të mospajtimeve ndaj një vendimi të qeverisë në Prishtinë për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, përsëriti se kusht për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe u bëri thirrje qytetarëve serbë që të mos dalin në votime.

“Së pari, bojkotimi nuk përcakton zgjedhjet”, i tha Zërit të Amerikës, i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, duke theksuar se personalisht i ka kërkuar Listës Serbe, subjektit kryesor politik të serbëve të Kosovës që të marrin pjesë në votime.

“Fakti që nuk marrin pjesë, është vendimi i tyre. Por këto parashikohen nga Kushtetuta. Ka vende të paplotësuara. Ka njerëz që nuk po marrin shërbime nga pushteti lokal sepse nuk ka pjesëmarrje. Pra nëse këto zgjedhje janë të lira dhe të ndershme, dhe unë parashikoj që të jenë, rezultati do të jetë legjitim nga këndvështrimi ynë”, i tha Zërit të Amerikës zoti Escobar.

Presidenti serb Vuçiç, të enjten në mbrëmje kritikoi ashpër vendet kryesore perëndimore për mbështetjen e zgjedhjeve të së dielës. Duke i quajtur “gënjeshtarë” diplomatët e pesëshes perëndimore; Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës e Italisë, ai tha se qëllimi i tyre është pamundësimi i themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Duke i cilësuar zgjedhjet e së dielës si “një ditë të rëndë” për popullin serb, ai u bëri thirrje banorëve të veriut të shmangin incidentet.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u bëri thirrje të martën qytetarëve në veri të dalin në zgjedhje pasi, sic tha, atje t ka nevojë për legjitimitet demokratik dhe funksionim institucional.

“Mua më vjen keq që qytetarët serb të Kosovës i janë nënshtruar një propagande të egër të mediave nga Beogradi të cilat janë të afërta me pushtetin atje që të mos tregohen konstruktiv dhe të mos e shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar”, tha kryeministri Kurti.

Zgjedhjet u caktuan fillimisht për datën 18 dhjetor të vitit të kaluar por ato u shtynë me kërkesën e diplomatëve perëndimorë të cilët u përfshinë në një përpjekje për një marrëveshje normalizimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilën palët u pajtuan më 18 mars në Ohër. Bisedimet rreth zbatimit të saj pritet të mbahen me 2 maj në Bruksel./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA