Shtetet e Bashkuara presin një propozim nga Prishtina zyrtare për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe deri në 2 maj kur udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë të takohen në Bruksel.

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar vendosi kështu një afat të përvijuar kohor për Kosovën, në një kohë kur cështja e formimit të bashkësisë së komunave me shumicë serbe atje shihet si justifikimi kryesor i Serbisë për t`iu shmangur zbatimit të marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve, të arritur në Ohër.

Sipas zv/Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Europën Jugore dhe Qendrore, ka pasur përparim lidhur me këtë çështje dhe një evoluim të jashtëzakonshëm në qëndrimin e qeverisë së Kosovës dhe në veçanti të kryeministrit, për të pranuar këtë detyrim ligjor.

“Është një detyrim ekzistues në bazë të marrëveshjes së Brukselit dhe ishte shumë e vështirë për këtë qeveri dhe parti që ta pranonte si të detyrueshme. Por tani po e konsiderojnë si detyrim, janë pajtuar me të dhe kanë thënë publikisht se cila duhet të jetë korniza dhe parametrat e Asociacionit. Dhe ne pajtohemi me këto parametra”, deklaroi Escobar.

Zyrtari i lartë i DASH-it e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara do t’i njohin zgjedhjet e së dielës në Veri të Kosovës edhe nëse Lista Serbe i bojkoton ato. “Ne u kemi bërë thirrje dhe unë personalisht u kam kërkuar serbëve, Listës Serbe, që të marrin pjesë dhe të mos heqin dorë nga roli që kanë.

Fakti që nuk marrin pjesë, është vendimi i tyre. Por këto parashikohen nga Kushtetuta. Ka vende të paplotësuara. Ka njerëz që nuk po marrin shërbime nga pushteti lokal sepse nuk ka pjesëmarrje.

Pra nëse këto zgjedhje janë të lira dhe të ndershme, dhe unë parashikoj që të jenë, rezultati do të jetë legjitim nga këndvështrimi ynë”, ishte komenti i Escobarit për VOA-n. Edhe pse shtoi se shpreson që serbët në Kosovë të gjejnë një mënyrë të rikthehen në institucione, ai e nënvizoi se bojkoti nuk duhet të vonojë themelimin e Asociacionit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA