Sfida e Basketbollit mes Partizanit e Tiranës përfundoi me përplasje fizike mes lojtareve.
Në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, vajzat e kampit të kuq mundën në gjysëmfinale 86-83 Tiranën, duke i eliminuar ato.
Por fundi i ndeshjes prodhoi skena jo të denja në parket, me të dyja kampet që u përfshinë në një sherr masiv, teksa nuk kanë munguar grushtat mes basketbollisteve.
Ishte lojtarja e Tiranës, Ebi Dishnica, ajo që u konfliktua fizikisht me amerikanen e Partizanit, Banister që u kundërpërgjigj duke e goditur me grusht.
Ndërkohë në këtë moment një djalosh, ndoshta familjar i lojtares së Tiranës, e godet amerikanen me shqelm nga pas, ndërsa Dishnica më pas e shtyn lojtaren e Partizanit.
Bannister tenton të largohet drejt pankinës së kuqe, por aty vjen me vrap Dishnica që e shtyn atë për ta rrëzuar me kokë në parket. Aty vijuan sërish edhe kacafytjet me njëra-tjetrën edhe pse trajnerja, Eliverta Bujari, u mundua t’i shkëpuste nga njëra-tjetra, po ashtu erdhën dhe shumë persona të tjerë për t’i ndarë mes kaosit.
Më tej çdo gjë sheshohet edhe me ndërhyrjen e përfaqësuesve të të dyja klubeve. Duhet theksuar se në këtë derbi, ashtu sikurse ndodh rëndom në lojërat me dorë, mungonte siguria e nevojshme, pasi me vetëm dy persona është e pamundur që të ruhet rendi edhe në një ndeshje te femrat e jo më te meshkujt.
Top Channel