Ndeshje të trukuara, urdhër-arreste dhe kontrolle të befasishme. Brazili rrezikon të përfshihet në një skandal, për të cilin ka nisur një hetim.
Prokuroria, siç raporton “Globoesporte”, ka avancuar hetimet mbi dyshimet për manipulim të rezultateve në gjashtë ndeshjet e “Brasileirao 2022”.
Është nisur një operacion për të zbatuar tri urdhër-arreste parandaluese dhe njëzet urdhra të tjerë kontrolli. Operacioni mbulon gjashtë shtete dhe gjashtëmbëdhjetë qytete.
Nëntë lojtarë janë të përfshirë dhe, sipas asaj që ka mësuar “Globoesporte”, katër prej tyre janë: Victor Ramos (mbrojtës Chapecoense), Igor Carius (mbrojtës krahu i Sport Recife), Gabriel Tota (mesfushori Ypiranga-RS, ish Juventude) dhe Kevin Lomonaco (mbrojtësi i Bragantinos).
Ndeshjet e trukuara nuk janë zbuluar, por dyshimet qëndrojnë në gjashtë ndeshje të Serisë A 2022 dhe në ndeshje të tjera të kampionateve shtetërore të Goias, Rio Grande do Sul, Mato Grosso dhe Sao Paulos.
Hetimet për Serinë A filluan në shkurt të këtij viti. Fillimisht ishin përqendruar në disa sfida të Serisë B 2022, dhe më pas u përhap si flakë në garat e tjera.
Lojtarët e përfshirë mësohet se janë korruptuar nga një grup kriminal me oferta që varionin nga 50 000 realë (9,170 euro) deri në 100,000 realë (18,340 euro) për të kryer veprime specifike gjatë ndeshjeve (numri i faulleve të kryera dhe goditjeve nga këndi, kartonë të verdhë etj.).
Këto praktika mësohet se kanë sjellë fitime të mëdha në faqe të ndryshme bastesh.
Operacioni “Penalidade Maxima II” nisi zyrtarisht në fund të vitit 2022, pasi mesfushori i Vila Novas, Romario, dyshohet se pranoi një ofertë prej 150,000 realë (27,510 euro) për të shkaktuar një penallti në ndeshjen kundër Sport Recife në Serinë B.
Tashmë janë konfirmuar dyshimet se këto makinacione kanë arritur në nivelin më të lartë të piramidës së futbollit brazilian: futbolli i gjelbër dhe i artë po dridhet.
Top Channel