Arrestohet shefi ekzekutiv në Korporatën Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi.

Policia e Kosovës, me vendim të Prokurorisë Speciale, ka vënë në pranga Krasniqin pak pasi Departamenti i krimeve Ekonomike bastisi zyrën e drejtorit të KEK-ut, për shkak se akuzohet për korrupsion.

“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës, ka arrestuar një person me inicialet N.K. për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK, ‘’Ushtrimi i ndikimit’’ nga neni 424 paragrafi 1 të KPRK-së, dhe veprën penale ‘’Konflikti i interesit’’ nga neni 417 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, bën të ditur komunikata.

Krahas zyrës së Krasniqit në Prishtinë, Krimet Ekonomike bastisën edhe dy banesa në pronësi të tij, ku janë sekuestruar dokumente të ndryshme që lidhen me rastin.

“Njësia e Veçantë e Hetimeve sot ka bastisur zyrën e të pandehurit N.K. në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në Prishtinë, në pronësi dhe të shfrytëzuara nga i njëjti, me qëllim gjetjen e dëshmive të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të lartcekura. Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre (3) kompjuter, një (1) llap-top, një (1) celular, një (1) USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme”- njofton policia, duke shtuar se: “Me aktvendim të prokurorit të shtetit i pandehuri me inicialet N.K., është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh.”

Parimisht, Krasniqi kishte refuzuar të shoqërohej nga Policia e Kosovës për të dhënë dëshminë në rajon, me arsyetimin se nuk është në gjendje të mirë shëndetësore. Dyshohet se bastisjet po bëhen për shkak të keqpërdorimit të një tenderi për remontin e Bllokun A5 të Termocentralit “Kosova A”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA