I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar deklaron se SHBA do t’i njohë rezultatet e zgjedhjeve në 4 komunat në veri të Kosovës, edhe nëse serbët do t’i bojkotojnë ato.
Zyrtari amerikan u bëri thirrje serbëve që të kthehen në institucionet e Kosovës, si dhe të ndaleshin vandalizmat si djegia e automjeteve, pasurisë së palujtshme dhe kërcënimet ndaj komunitetit serb në veri, prapa të cilave nuk fshihen shqiptarët.
I pyetur nëse zgjedhjet lokale në veri të Kosovës do të jenë legjitime nëse Lista Serbe nuk merr pjesë në to, Escobar përgjigjet se fakti që disa parti politike bojkotojnë zgjedhjet nuk përcakton rezultatin e tyre dhe se SHBA do t’i njohë ato.
“I kam bërë apel serbëve që të marrin pjesë në zgjedhje. Kuptojmë shumë gjëra që ata i shohin si problematike, por sigurisht që duhet të marrin pjesë. Nëse ata nuk do të merrnin pjesë, kjo nuk do të thotë se ne nuk i mbështesim zgjedhjet. Qeveria e Kosovës ka obligim kushtetues. Do të ketë zgjedhje dhe ne do t’i njohim rezultatet dhe shpresojmë që serbët të kthehen në një moment”, tha Escobar për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”, raporton “Euronews.sr”.
Sipas zyrtarit amerikan, SHBA-të po kërkojnë që serbët të kthehen në departamentet e policisë, sepse nuk mund të ketë një komunitet që nuk ka shërbime komunale dhe që nuk ka forcë policore.
“Kemi kërkuar që serbët të kthehen në institucione që të mos ketë arsye që shqiptarët etnikë të jenë të pranishëm atje . Kjo është një pyetje vërtet komplekse. Do të duhet një kompromis nga të dyja palët për të gjetur një zgjidhje”- tha Escobar, duke shtuar se kërcënimet ndaj komunitetit serb në Kosovë duhet të ndalen “nga të gjitha anët”, në mënyrë që këta njerëz të jetojnë në një “mënyrë paqësore dhe demokratike” në një shoqëri demokratike.
“Djegia e automjeteve, pasurisë së paluajtshme dhe kërcënimet ndaj njerëzve që duan të integrohen nuk vijnë nga shqiptarët etnikë, por nga serbët, kështu që mendoj se kërcënimet ndaj komunitetit serb në Kosovë duhet të ndalen nga të gjitha anët”, tha Escobar.
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor tha se SHBA pret që Beogradi dhe Prishtina të ofrojnë një kornizë kohore për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe propozimet fillestare për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Të gjitha palët duhet të vijnë të përgatitura”, tha Escobar.
Duke komentuar faktin se në 10 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit, Asociacioni ende nuk është formuar, Escobar tha se pajtohet me ambasadorin e SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, se është koha e fundit që ai të formohet.
“Hill ka të drejtë. Është një detyrim ligjor ekzistues dhe ne e mbështesim atë. Vitin e kaluar, ne pamë sinjale pozitive në këtë kuptim, para së gjithash falë mbështetjes së bashkësisë ndërkombëtare. Marrëveshja e fundit në Ohër ofron një kornizë kohore që palët ta përdorin për të rënë dakord mbi këtë marrëveshje, duke përfshirë Asociacionin. Po flasim për fillimin e majit, kur palët do të flasin për këtë dhe për obligimet e tjera ekzistuese”, tha Escobar.
I ndalur tek deklarata e mëparshme se Asociacioni do të formohet “me apo pa Kurtin”, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor tha se Asociacioni është pjesë e marrëveshjes së Brukselit dhe marrëveshjes në Ohër, si dhe e Planit evropian, çka tregon se patjetër do të ndodhë.
“Pyetja e vetme është se deri ku dëshiron të pranojë qeveria e Kosovës, pra të përqafojë obligimet ekzistuese dhe të vazhdojë tutje. Unë thashë se jam i gatshëm të ndihmoj në krijimin e një dialogu për ta bërë këtë një fitore të favorshme për të dyja palët. Mendoj se këtu nuk duhet të ketë konflikt, por të ketë vetëm detyrim”- tha Escobar, duke shtuar se nuk i takon SHBA-ve të vendosin se pas cilit model do të formohet Asociacioni dhe se kjo është në dorën e palëve pjesëmarrëse në negociata.
Top Channel