Inzaghi: Jam mësuar me presionin, e mposhtim sërish Benficën

18/04/2023 16:15

Interi vuan në kampionat, por në Ligën e Kampionëve është vetëm një hap larg kualifikimit në gjysmëfinale, pasi do t’i duhet të menaxhojë avantazhin e dyfishtë të fitores ndaj Benficës në Portugali.

Në prag të ndeshjes së kthimit, Simone Inzaghi deklaroi se është mësuar tashmë me presionin, megjithatë u shpreh i bindur se Interi do t’ia dalë të jetë mes katër më të mirave të Europës.

“Kemi luajtur pjesën e parë me Benficën dhe na pret një pjesë e dytë mjaft e vështirë. Nuk do të rrimë të presim, për të mbrojtur avantazhin e dy golave, por do të kërkojmë të mbyllim llogaritë sa më shpejt. Situata në kampionat është e vështirë, por unë jam mësuar me presionin dhe jam i bindur që do të nxjerrim më të mirën tonë”, tha trajneri zikaltër.

Sulmuesit e Interit janë “simboli” i krizës, pasi nuk shënojnë prej kohësh dhe shpërdorojnë shumë në çdo takim, megjithatë Inzaghi nuk duket aspak i shqetësuar.

“Unë kam qenë vetë sulmues dhe shqetësohesha vetëm kur nuk krijonim raste. Sulmuesit tanë janë të pafat kohët e fundit, por rastet po krijohen dhe herët e vonë, edhe ata do të rikthehen të shënojnë rregullisht”, tha Inzaghi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA