Prokuroria Themelore në Pejë është duke zhvilluar hetime intensive lidhur me vrasjen e rëndë që ndodhi të premten mbrëma në rrugën “Mbreti Zog” në Pejë, ku një gruaje iu mor jeta nga djali i saj.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, deklaroi për KosovaPress se i pandehuri është në ndalim prej 48 orësh, ndërsa prokurorja e rastit do të kërkojë paraburgim prej një muaji.
Ai tha se hetimet janë në fazën konfidenciale dhe deri më tani nuk mund të bëjnë publike asgjë. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë, ndërkaq tashmë po presin raportin e mjekut ligjor.
“Një rast i tillë nuk ka ndodhur më parë. Prokuroria dhe Policia janë duke zhvilluar hetime intensive në mënyrë që ky rast të ndriçohet në plotëni. Në vendin e ngjarjes, Policia e Kosovës është përgjigjur në afat shumë të shpejtë dhe ka arritur ta arrestojë personin e dyshuar”- tha Nikiçi.
Prokurorja e rastit, Sahide Gashi, ka kërkuar që i pandehuri të vijojë qëndrimin në paraburgim për një muaj, ndërsa seanca është mbajtur gjatë ditës së sotme. Vrasja që tronditi të gjithë Kosovën ndodhi rreth orës 16:00 të premtes.
Top Channel