Gjatë takiemeve pranverore në Washington D.C. të zëvendëskryeministrit të parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ministrit të Financave, Punës dhe Trasfereve, Hekuran Murati, është arritur të përmbyllen me sukses diskutimet për një program të ri mbështetës nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit, thuhet se programi i ri përfshin vënien në dispozicion fillimisht të shumës prej 80 milionë euro në kuadër të instrumentit më të ri të FMN-së të quajtur Resilience and Sustainability Fund, dhe me mundësinë e zgjerimit për edhe 80 milionë euro tjera.

“Në momentin e miratimit nga Bordi i FMN-së, Kosova do të bëhet vendi i parë në Evropë që do të përfitojë nga ky lloj programi me FMN-në. Mjetet nga programi RSF pritet t’i vihen në dispozicion Kosovës për investime në ndërtim të kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtërishme me erë dhe diellore”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, pjesa tjetër e mbështetjes do të jetë në formën e një Aranzhimi për Gatishmëri (precautionary SBA) në vlerë prej 100 milionë euro për 2 vitet e ardhshme.

“Pikënisje për këtë arritje ka qenë suksesi në konsolidimin e shpejtë të financave publike, dhe vendimmarrja e matur fiskale. Kjo është edhe një dëshmi që reformat tona po vlerësohen edhe nga institucionet ndërkombëtare si FMN”, thuhet në njoftim.

Gjatë qëndrimit dhe vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi së bashku me Ministrin e Financave, Punës dhe Trasfereve, Hekuran Murati u pritën në takim nga Nënsekretarja për Tregti, Maris Lago.

“Forcimi i bashkëpunimit me SHBA-të dhe rritja e investimeve e shkëmbimeve tregtare mes vendeve tona ishin kryetemë e diskutimit”, thuhet në njoftim.

Zëvendëskryeministri Bislimi foli mbi rritjen ekonomike të Kosovës dhe zhvillimit që ka njohur vendi në dyvjeçarin e fundit, duke theksuar edhe rritjen e eksportit si faktor kontribues në rritjen ekonomike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA