Duket se dimri nuk ka plan t’ja lërë vendin pranverës, ndonëse jemi në mes të kësaj stine. Raportohet se në zonat malore të vendit si në jug edhe në veri kanë rinisur me intensitet reshjet e dëborës, ndërsa nuk kanë munguar problemet në rrugë.
Në zonat malore të qarkut Dibër reshjet kanë qenë intensive, duke shkaktuar edhe bllokimin e përkohshëm të aksit të rrugës së Arbrit, bypass- Qafë Murrizë.
Një nga zonat ku dëbora ka nisur që prej orëve të para të kësaj të premteje është edhe Stebleva e Librazhdit.
Ndërkohë në lartësinë 500 metra mbi nivelin e detit, edhe në zonën e Bulqizës kanë nisur reshjet e dëborës. Raportohet se reshje në formë llohe ka patur edhe në qytet! Ndërkohë reshje të mëdha dëbore ka edhe në zonat e minierave të Martaneshit e Bulqizës ku kërkohet përdorimi zinxhirë për automjetet që trasportojnë minatorët.
Në zonat malore të Shkodrës, në Theth, Lepushë e Kelmend, trashësia e dëborës ka shkuar në disa centimetra, ndërkohë që borëpastrueset kanë filluar punën për zhbllokimin e rrugëve.
Përkeqësimi i kushteve atmosferike natën e kaluar ka shkaktuar probleme edhe në lëvizjen e trageteve nga Durrësi drejt portit italian të Barit. Për shkak të detit të trazuar dhe erës së fortë dy tragetet e linjës Durrës-Bari nuk u nisën në orar natën e kaluar nga porti më i madh i vendit. Njëri prej trageteve është nisur pas orës 02.00 të mëngjesit të sotëm dhe trageti tjetër rreth orës 06.40. Ndërkohë nuk ka pasur probleme në mbërritjen e dy trageteve nga Bari në Durrës këtë mëngjes. Situata detare dikton dhe pezullimin e përkohshëm të daljes në det të anijeve të peshkimit.
Top Channel