Emisioni investigativ në Top Channel, Fiks Fare ka denoncuar disa herë skandalin në qendrën ku qëndrojnë personat me aftësi ndryshe në Vlorë.
Në muajin janar të vitit 2022, Fiks Fare denoncoi abuzimet me ndërtimin e godinës së Qendrës së Zhvillimit në Vlorë, ku megjithëse ishin shpenzuar plot 240 milionë lekë të vjetra, sërish ishte e shkatërruar.
Në atë godinë qëndrojnë rreth 30 persona, të cilëve u është dashur që të jetojnë në një ambient të papërshtatshëm, krevate të shkatërruar, mungojnë dyer, ka lagështirë, myk apo edhe suva të rëna.
Një vit pas këtij denoncimi, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar të njëjta problematika.
Fiksi më pas siguroi raportin e KLSH-së ku konstatoheshin probleme të shumta higjieno-sanitare për mbajtjen e ushqimeve si dhe me ndërtimin e godinës.
Ndërkohë, një tjetër problematikë e konstatuar nga KLSH ishte edhe godina. Sipas tyre, personat me aftësi të kufizuar, në karrige me rrota, e kishin të pamundur të shkonin në tualet.
Sot Prokuroria e Vlorës nisi hetimet pas publikimit të raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit pasi zbuloi një skandal të madh të tjetërsimit të pronës së institucionit për fëmijët me aftësi të kufizuara, për t’u ndërtuar më pas pallate.
Top Channel