“S’ka muzikë pas orës 00:00”/ Kumbaro: Nuk mund të bashkëpunojnë brenda një sezoni jeta e natës edhe qetësia

13/04/2023 10:05

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka deklaruar se me futjen në fuqi të vendimit të qeverisë për vlerësimin e zhurmave në mjedis, në përputhje me parametrat e OBSH-së, bizneseve do t’iu jepet mundësia të riorjentojnë tipologjinë e aktiviteteve që duhet të ndjekin.

Sipas Kumbaros, zbatimi i këtij amendamenti do të bëhet nga pushteti vendor. Bashkitë, thotë ministrja, duhet të përcaktojnë zonat e banuara ku nuk do lejohet asnjë lloj aktiviteti me zë të lartë pas orës 00:00, edhe zonat në të cilat do lejohet muzika pas këtij orari.

Normat e muzikës deri tani nuk kanë qenë të kontrolluara në përputhje me parametrat e lejuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Ne kemi pasur urdhëresa dhe akte nënligjore, por nuk ka qenë e qartë se kush i kontrollonte. Ligji i sotëm i ndërmarrë me vendim qeverie e rregullon këtë. Bashkitë do të kenë detyrimin të përcaktojnë cilat janë ato zona brenda territorit të tyre administrativ. Mund të zhvillohen aktivitete biznesi me muzikë edhe përtej orës 00:00, por që duhet të jenë larg zonave ku banohet, flihet, pushohet përtej mesnatës. Sigurisht që kjo do të sjellë një riorjentim të bizneseve në territore të tjera dhe tipologjinë e aktiviteteve që duhet të ndjekin, të cilat më herët nuk ishte e mundur.

Nuk është e mundur që të bashkëjetojnë brenda një sezoni edhe jeta e natës edhe muzika, me paqen edhe qetësinë. Kjo mund të ndodh vetëm nëse respektohen të tilla rregulla.

Nuk po shpikim rrotën thjesht po ndjekim rregulla që ndiqen në vendet e tjera të BE-së”- tha Kumbaro.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA