Ligji për mediat audiovizive, Açka: S’janë përfshirë të gjitha grupet e interesit në amendimet e nevojshme, pse po nxitoni për ta miratuar?

13/04/2023 12:01

Kuvendi po diskuton në seancën e sotme parlamentare një projektligj për disa ndryshime dhe shtesa “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”.

Kryetarja e Komisionit të Medias, Flutura Açka u shpreh se ligji ka nevojë për t’u shqyrtuar me kujdes p[ra se të miratohet.

Nxitimi për arnat e këtij ligji sot e që ju do ta kaloni, e tejkalon kujdesin e domosdoshëm për shqyrtimin e tij, tha Açka në fjalën e saj.

“Vonesa nga mbyllja e procesit të diskutimit publik, deri në përcjellje në Parlament, shqyrtimi me publikun në vetëm një muaj kohe, mospërshirja e të gjitha grupeve të interesit në amendimet e nevojshme, mungesa e konsultës me shoqatat që mbrojnë të drejtat e fëmijëve edhe pse ligji bën rregullime të tilla, shtyrja për një kohë tjetër e sugjerimeve të përfaqësuesve të biznesit të fushës, nxitimi për ta kaluar në parlament veshur me ambalazhin e detyrimeve të procesit të integrimit, më bëjnë skeptike, gjë që do ta bëjë skeptike edhe votën time.

Ndreqjet e këtij ligji do të kërkojnë akte të reja nënligjore nga AMA dhe madje shumë shpejt një infrastrukturë te re për kryerjen e detyrave që i lë ky ligj. Jam e bindur se AMA do të vijë shumë shpejt me një kërkesë të re për shtimin e personelit, ku nuk ka as pak javë që kaluam në heshtje të plotë një rritje prej 30 % të tij dhe më së shumti personel pa efektivitet, magazinierë e postierë, jo monitorues e mbikëqyrës të tregut audioviziv”.

Duke treguar problematikat që ka media audiovizive në vend, deputetja akuzoi kryeministrin Edi Rama për krijimin e një mjedisi aspak të mirë për gazetarët, për sa kohë nuk dënohen shantazhuesit dhe sulmuesit e mediave.

“Kur Edi Rama erdhi në pushtet në vitin e harruar 2013, mes përvojave të tjera personale, kishte edhe atë me median, dhe ishte po kjo shoqëri, e cila sulmin personal ndaj tij si njeri i fjalës e kishte perceptuar si sulm ndaj fjalës së lirë, pa në këta dhjetë vjet shndërrimin trishtimisht të papranueshëm të atij vetë si kryeministër i shqiptarëve në raport me median. 

Të gjitha këto shërbime të shqiptarëve ndaj tij, i ka harruar dhe i ka tejkaluar vetë me pushtetin e tij tashmë gati absolut, jo me thyerje kockash të hundës ndaj kritikëve, por me blerje të hapura të medias kur mundet, ose me rrënime televizionesh si Agon Channel, duke u lënë shqiptarëve faturën e 110 milion eurove; me tritol në mes të plazhistëve ditën e lume në një nga asetet e “Fokus media”, me qëllimin që ta shkatërrojë, sepse kushedi se ku i ka mbetur kunji; me shkujdesjen për të gjetur autorët e sulmit mbi Top Median me kushedi ç’qëllim në prapaskenë, me fyerjet e tij personale ndaj gazetarëve faqe shqiptarëve me qëllim intimidimi dhe depersonalizimin e tyre; me gërhushjet dhe talljet e tij nëpër studiot televizive, veçmas ndaj gazetareve femra nga kushedi ç’inate të vjetra”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA