Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vizitoi xhaminë e re “Mahmut Vrapi”, në Njësinë 2, pranë ‘Qytetit Studenti’.
Ai uroi besimtarët myslimanë të zonës për hapësirën e re dhe shprehu mirënjohjen për ata që kontribuan në ndërtimin e saj. Veliaj kujtoi se zona e Depos së Ujit, ku ndodhet xhamia e re, ka ndryshuar dhe populluar shumë.
“Në vitet ‘80, Depoja e Ujit konsiderohej kufiri më i largët i botës që njihnim, kurse sot është një vend plot jetë, plot me fëmijë. Po vjen një brez i ri, i cili s’duhet të harrojë se brezi më i vjetër e ka nisur nga zero me shumë sakrifica, morën një vendim të guximshëm duke ardhur këtu nga çdo cep i Shqipërisë. Është sakrificë të ndërtosh një shtëpi, të ndërtosh një rrugë, të sjellësh një rrjet uji, por lala Mahmut, ne të jemi shumë mirënjohës që në ato vite të vështira ti kuptove ndoshta para të gjithëve se aq sa e rëndësishme është infrastruktura civile, shtëpia, rruga, shkolla, kopshti, çerdhja, aq e rëndësishme është edhe infrastruktura shpirtërore. Të jemi sot shumë mirënjohës dhe shumë falënderues që ti e ke mbajtur këtë frymë në ato kohë të vështira, dhe besoj se sa të jetë jeta, kjo xhami do të mbajë emrin tend, dhe do jetë një kujtesë për të gjithë brezat që nuk është kamja e madhe që na bën njerëz të mirë, po shpirti i madh”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku falenderoi komunitetin mysliman, që është gjithmonë në ndihmë të njerëzve në nevojë. “Vëllai im, Laureni, tha diçka shumë të bukur: janë 110 xhami në Tiranë dhe më vjen mirë që qyteti është rritur bashkë me institucionet e besimit. Sa herë që hapet një xhami, mbyllet një derë burgu, se do të thotë që kemi një hapësirë ku një i ri, një e re, mëson rrugën e drejtë, si të bashkëjetojë në komunitet, si t’i zgjidhë konfliktet me paqe, me arsyetim. Ndaj, unë besoj se këto nuk janë 110 ndërtesa, janë 110 hapësira, 110 oaze, 110 vende ku shoqëria, miqësia është e shenjtë, ku bashkëpunimi, puna e mira na çon përpara. Në këtë muaj të Ramazanit, unë u jam mirënjohës 110 imamëve, që bashkë me Laurenin dhe kolegë të tjerë, janë një ‘ushtri’ paralele që ndajnë bashkë me ne përgjegjësitë, dikush me punën civile, dikush me infrastrukturën shpirtërore, për të pasur një qytet shumë herë më të mirë”, u shpreh ai.
Top Channel