Veliaj: Tirana do vazhdojë të shkëlqejë, si çdo ditë në këto 8 vjet! Saliu dogji shtëpinë e tij, imagjinoni ç’mund t’i bënte kryeqytetit

12/04/2023 17:26

Fushata elektorale e zgjedhjeve të 14 Majit, nuk duhet të ndikojë në punën e përditshme të Bashkisë së Tiranës.

Kjo ishte porosia e kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili zhvilloi një takim falënderues me punonjësit e institucionit të bashkisë, para hyrjes zyrtarisht në fushatë.

Veliaj shprehu vlerësimin maksimal për stafin dhe bashkëpunëtorët e tij, pa të cilët – tha ai – Tirana nuk do kishte pësuar transformimin e sotëm.

Porosia e parë është që puna duhet të vazhdojë, shërbimi ndaj qytetarëve duhet të vazhdojë, Tirana duhet të jetë çdo ditë xixë, siç ka qenë këto vite. Tirana duhet të shkëlqejë dhe ne duhet të vazhdojmë shërbimin ndaj qytetarëve. Duhet të sigurohemi që, pikërisht se është fushata, nuk duhet ulur ritmi sepse nuk do të doja kurrë që njerëzit ta lidhnin suksesin e Tiranës, suksesin e Bashkisë së Tiranës, me praninë time fizike në çdo veprimtari të qytetit. Madje, merita e kësaj skuadre është se e vazhdon punën me profesionalizëm, pavarësisht se ku është drejtuesi politik i skuadrës së Bashkisë së Tiranës dhe jam i sigurt që kjo do të ndodhë edhe kësaj here”, deklaroi Veliaj.

Nga ana tjetër, ai shtoi se ndihet i keqardhur pasi një pjesë e akuzave politike drejtuar atij, kanë prekur padrejtësisht edhe ata që punojnë në Bashkinë e Tiranës.

“E di që kush punon me mua, ashtu siç merr edhe energjinë dhe pozitivitetin, merr edhe disa nga ciflat e baltës, nga të sharat e pamerituara. E di që, për zonjat që janë këtu, jeni nëna e dikujt, jeni vajza e dikujt, jeni bashkëshortja e dikujt, jeni bija e dikujt, e imagjinoj se çfarë ndodh në familjen tuaj kur diskutohen dhe kur dëgjoni atë lumin e të sharave, kështu që do të doja, së pari, t’ju kërkoj ndjesë për çdo shqetësim që ju kam krijuar, sepse besoj e keni të qartë, nuk e kanë me ju, e kanë me mua. Prej meje edhe ju hani disa nga ciflat e baltës dhe do të doja që ta kuptonit këtë”, tha Veliaj, duke shtuar se, “ky është një vend që mbetet ende toksik në politikë”.

“Ky është një vend ku politika ende trajtohet si një betejë gladiatorësh, ku dikush duhet të poshtërohet patjetër. Ne mund të kemi një debat civil, të fitojë më i miri, të vazhdojë jeta, por qartazi janë disa dinozaurë të vjetër që nuk e lënë vendin të ecë përpara. Ndjesë nëse jeni lënduar ju dhe familja juaj, me shpresë që pas këtyre 30 ditëve marrim vendimin për të ecur përpara në një mandat të tretë dhe të largohemi nga kjo politika e bërjes së gjërave me sherr dhe me dhunë, me sharje e me shpifje, se jam i sigurt që edhe në shtëpitë tuaja diskutohen ato që thotë politika e vjetër: ‘Jo, po këta të bashkisë janë edhe me Sorosin, po edhe me Iranin, edhe me këta, edhe me ata’. Fatmirësisht, për njerëz të tillë që kanë rrjedhur, ne kemi qendra sociale shumë të mira, kemi psikologë, psikiatër dhe punonjës socialë për të gjithë këta që kanë këto lloj deviancash dhe bëni atë që bëj unë, trajtojeni me humor këtë punë, sepse Saliu, imagjinoni, kur dogji shtëpinë e tij, selinë e tij, imagjino ç’mund t’i bëjnë ata Tiranës nëse ua lëmë sërish në dorë”, deklaroi Veliaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA