Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, në lidhje me rastin e së hënës mbrëma në Zveçan ku mbeti i plagosur një qytetar serb, tha se policia ka shtënë pasi i plagosuri ka refuzuar të ndalojë pas sinjalit policor.
Ai shtoi se katër zyrtarët policorë janë në mbajtje për 48 orë me vendim të prokurorit për arsye se nuk e kanë raportuar rastin.
“Pas informatave të para për plagosjen e një qytetari në rrugën nacionale mes Leposaviqit dhe Zveçanit, Policia e Kosovës por edhe Inspektorati Policor i Kosovës kanë filluar hetimet intensive.
Sipas hetimeve të para, pas sinjalit të zyrtarit policor për ndalim, vozitësi nuk është ndalur por ka vazhduar në drejtim të Zveçanit. Pas kësaj, një zyrtar policor ka shtënë me armë në drejtim të veturës ku si pasojë, ka mbetur i plagosur qytetari M.J.”, shkroi Sveçla.
Sveçla shtoi se zyrtarët policorë janë në mbajtje me dyshimit se 3 prej tyre nuk kishin raportuar në lidhje me rastin ndërsa një tjetëre dhe për përfshirje në rast.
“Pas intervistimit nga ana e Inspektoratit Policor dhe me vendim të prokurorit, 4 zyrtarë policorë janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë me dyshimin se tre zyrtarë policorë nuk kishin raportuar lidhur me rastin dhe një zyrtar për mos raportim si dhe për përfshirjen e tij në rast. Të njëjtit gjatë ditës me rekomandim të IPK-së janë suspenduar nga PK”, vijoi Sveçla.
Ministri i Brendshëm tha se me qëllim të zbardhjes së të gjitha rrethanave, hetimet do të vazhdojnë intensivisht dhe gjithsecili që ka bërë shkelje do të ballafaqohet me ligjin.
Top Channel