Gjykata shpalli fajtor Leonard Palushin. Ish-shefit të policisë, arrestuar për shpërdorim detyre iu rënduan më pas pozitat pasi vepra iu kualifikua për korrupsion.

Palushi u dënua me 2 vjet dhe katër muaj burg. Emri i nënkomisarit që së fundmi ishte shef policie, doli në skenë nga dëshmia e të mbrojturit të drejtësisë, Nuredin Dumani.

Fjala e tij dhe provat e mbledhura nga SPAK rënduan pozitat edhe të disa personazheve të krimit të organizuar  në vend, njëri prej të cilëve Erion Alibeaj, i cili dyshohet se informohej nga shefi i sektorit të vrasjeve në qytetin e Elbasanit. Palushit në një rast ka dyshime se dhuroi një automjet për shërbimet e kryera.

Por edhe Erjon Alibeaj që ndërkohë ishte nën arrest shtëpie pranon se ishte takuar me oficerin Palushi në shtëpinë ku mbahej. Kur unë lëvizja në Elbasan isha i sigurt se policia nuk më arrestonte pasi me makinën që unë lëvizja ishte i informuar ky punonjës policie. Madje Palushin e kam ndihmuar dhe më kërkoi ndihmë pasi ishte në përfundim të një lokali dhe i duheshin kamera të pastra si ato që përdorja unë, kujton nga ana e tij Erjon Alibej.

Leonard Palushi kërkoi pafajësi duke këmbëngulur se i ka shërbyer ligjit dhe vendit. Ish-shefi insiston po ashtu se nuk ka kryer korrupsion.

Në dosjen e shqyrtuar nga gjyqtari i posaçëm Erjon Çela përmendet dhe episodi tjetër, ku ish-polici dha informacion për një pistoletë  që rezultoi se kishte vrarë Emiljano Ramazanin. Arma u gjet në pronën e familjes Manhasa, ç’ka orientoi përkohësisht gabim autoritetet te persona qe nuk e kishin kryer vrasjen.

Për këtë episod, polici Palushi thotë se iu dha informacion nga një informator gjatë kohës që ishte me leje dhe se gjendej në Astir kur i takoi informatorët. Personi ishte i informuar  përmes një aplikacioni, që i bëra fotografi dhe kur ata ikën takova  drejtorin e policisë Arjan Muça këmbëngul polici Palushi në rrëfimin e tij.

Operacioni “Golden bullet” dërgoi në qeli shumë persona që po përballen me gjykatën, por sidoqoftë gjatë mbajtjes së tij aurotitetet nuk mundën dot të arrestonin në kohë Ervis Martinaj.

Rrëfimi i Dumanit dërgoi në qeli 16 persona. Por disa të tjerë në rrethana të paqarta çanë rrjetën e policisë dhe vazhdojnë në kërkim, midis tyre Ervis Martinaj dhe Talo Çela.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA