Zv/ministri i Brendshëm i Shqipërisë Andi Mahila dhe zv/ministri i Mbrojtjes së Qytetarit të Greqisë Elefterios Ikonomu inaguruan sot në Kakavijë fillimin e funksionimit të qendrës greko-shqiptare të koordinimit policor dhe doganor.
Qendra, e cila është ngritur në anën greke të kufirit, do të funksionojë me personel nga të dy palët dhe do të jetë një hallkë e shkëmbimit të shpejtë të informacionit duke përdorur të gjitha kanalet në të dy vendet për të luftuar krimin ndërkufitar.
Qendra me 10 punonjës, 5 grekë dhe 5 shqiptarë, do trajtojë 16 tipe të ndryshme të krimit ndërkombëtar që nga rastet e emigracionit të paligjshëm nga vendet e treta, kontrabandimin e njerëzve dhe të mallrave, ekstremizmin e dhunshëm, rekrutimin e luftëtarëve të huaj, trafiqet e narkotikëve dhe mjeteve motorike.
“Kjo qendër është një hap i hedhur me besim të dyanshëm dhe në funksion të vullnetit që vendet kanë për të luftuar krimin ndërkufitar. Ne kemi provuar më parë në kufinjtë tanë me Turqinë dhe Bullgarinë se këto qendra funksionojnë. Shpresojmë shumë se do të kemi rezultate që mbështesin edhe përpjekjet integruese të Shqipërisë”, u shpreh Elefterios Ikonomu.
Edhe Mahila u shpreh i kënaqur me marrëveshjen dhe tha se qendra do të gjurmojë krime të cilat merrin më shumë kohë për tu identifikuar në të shkuarën.
Kjo strukturë e re nuk shton barriera për qytetarët në kufij dhe nuk ka funksion kontrollin rutinë.
Top Channel