Gjykata e Durrësit la në paraburgim shtatë nga tetë të arrestuarit, ndërsa vendosi “detyrim paraqitjeje” për të vetmen vajzë të grupit të shpërndarësve të Durrësit.
Të akuzuar si anëtarë të dy grupeve kriminale që shpërndanin droga të forta në lokalet e Durrësit, 8 të arrestuarit u përballën me akuzat e ngritura nga organi i prokurorisë. Disa prej të arrestuarve në kuadër të operacioneve “Foremost” dhe “Last Deal” janë studentë, mes tyre dhe një i mitur dhe një vajzë.
Të shtunën, policia arrestoi dy grupe shpërndarësish të drogave të forta në lokale të Durrësit e Sukthit. Në kuadër të këtyre operacioneve, policia arrestoi shtetasit Goni Muça dhe Tan Muça nga Sukthi, Alban Vela, Amonali Halili, Ergi Çurri, Gentian Gonesha, Stivens Bulku dhe Kristel Balla.
Goni Muça ishte në rolin e furnitorit me kokainë, për shtetasit e tjerë, të cilët, pasi e blinin atë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, e shpërndanin në zonën e Sukthit dhe të Durrësit, si dhe në lokalet e natës, në qytetin e Durrësit. Për ndarjen e lëndës narkotike, ata kishin përshtatur ambiente të posaçme në lokalet e tyre, konkretisht në lokalin e shtetasit Gon Muça, në zonën e Sukthit, dhe në lokalin e Ergi Çurrit në Durrës.
Si rezultat i këtyre operacioneve u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 pako me kokainë, me peshë 130 gramë; 40 doza me lëndë narkotike të llojit kokainë; 3 automjete, 2 prej tyre luksoze, 96 mijë lekë të rinj dhe disa shuma në euro, franga dhe paund, 3 peshore elektronike që shërbenin për peshimin dhe ndarjen e lëndës narkotike në doza të vogla, 1 dorezë hekuri dhe 14 aparate celulare.
Materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprat penale “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja e armëve të ftohta”.
Top Channel