Jugu i vendit me Gjirokastrën në UNESCO, Vjosën Park Kombëtar, territorin më të gjerë të siteve arkeologjike dhe zonave të mbrojtura, bregdetin me 300 ditë me diell në vit do të presë këtë sezon sipas parashikimeve një numër rekord vizitorësh.
Operatorët turistikë dhe ofruesit e shërbimeve flasin për interes të lartë të tregut europian, vendeve të Europës Qëndrore dhe rikthim në masë të vizitorëve spanjollë dhe polakë. Qazim Tuqi, administrator i një njësie akomoduese në Gjirokastër është i shqetësuar për mungesën e theksuar në staf për shkak të largimit të të rinjve. Kriteri për punonjës të kualifikuar në këto kushte sipas tij do të ishte një kërkesë luksi.
Ndërsa shumë njerëz po e braktisin Jugun e vendit për tu larguar drejt qendrës apo jashtë Shqipërisë të tjerë po çelin biznese të reja duke parë potencial tek turizmi. Ritmi i shndërrimit të banesave në qytet dhe fshat në bujtina për të pritur vizitorë është tendenca kryesore kur flasim për biznese të reja. Por të paktën 400 prej tyre apo rreth 50% e totalit që figurojnë në Booking, Airbnb apo platforma të tjera rezervimesh nuk janë të regjistruara legalisht duke rritur kështu konkurrencën e pandershme në sektorin e akomodimit.
Gjithë ky trend informaliteti sipas “Visit Gjirokastra”, shoqata e bizneseve të turizmit në qark është njëherazi jashtë kontrollit për standardet bazë të higjienës, sigurisë ushqimore dhe nuk e bën atraktive ofertën e punëkërkuesve.
Top Channel