Një ngjarje e rëndë tronditi Tiranën në orët e para të mëngjesit të së shtunës.
Roland Sinani, qëlloi me armë zjarri kunatën e tij Migena Sinani në gjumë. Pasi kreu krimin, 44-vjeçari vrau veten në oborrin e shtëpisë. Tragjedia ndodhi në orën 3:00 të mëngjesit, teksa 37-vjeçarja, nënë e dy fëmijëve ishte në gjumë me vajzën e vogël 2 vjeçe që e kishte ende në gji.
Lidhur me këtë ngjarje, ka folur për “Shqipëria Live” djali i xhaxhait të Migenës, i cili shprehet se Migena ka marrë kërcënime edhe më herët nga vëllai i burrit të saj, i cili i shkaktoi dhe vdekjen.
Gazetarja: Si e morët vesh ngjarjen?
Kushëriri: Ne e morëm vesh nëpërmjet televizorit ngjarjen. Ngjarja sipas policisë ka ndodhur në 3 të mëngjesi. Unë jam djali i xhaxhait, dhe viktima ka qenë duke fjetur në gjumë, bashkë me vajzën 2-vjeçare që e ka pasur me gji. Personi ka hyrë direkt në dhomë, e ka vrarë. E ëma e personit ka dalë nga dhoma sepse ka dëgjuar krismat, ka parë djalin e vetë dhe i ka thënë që e vrava. Pastaj ka zbritur poshtë dhe ka bërë vetëvrasjen.
Gazetarja: Çifti shkonte mirë më thatë?
Kushëriri: Çifti shkonte jashtëzakonisht mirë, ata vinin shumë shpesh këtu, vajza shumicën e kohës, gruaja rinte këtu. Kishin probleme vëllezërit me njëri-tjetrin, por si çift bashkëshortësh jashtëzakonisht mirë.
Gazetarja: Çfarë problemesh kishin konkretisht vëllezërit?
Kushëriri: Ky siç thonë, siç e dimë dhe ne ka qenë jo mirë mendërisht. Kjo më tepër s’di ç’të them.
Gazetarja: Ka kërcënuar dhe më herët?
Kushëriri: Po, ka kërcënuar sipas asaj që kemi marrë vesh.
Gazetarja: Keni pasur komunikim me dhëndrin?
Kushëriri: Me dhëndrin, po patjetër. Dhëndri ishte mbrëmë këtu, është fatkeqësi për të dhe për të gjithë.
Ndërsa në një intervistë me një fqinje të Migenës, ajo e quan atë një nuse dhe një grua tepër e mirë që çdokush do donte ta kishte.
Fqinja: Ishte një femër që çdokush do donte ta kishe, dëshirë ta kishte në familje, në shtëpi, ta kishte afër ose ta kishte shoqe. Por këta janë të sëmurë, i ati është nga diabeti, ka kaluar traumë, nuk e di dhe e ëma duke pasur kushte të vështira. Kurse i shoqi i viktimës, një njeri shumë i mirë, një njeri familjar, një njeri shumë punëtor dhe shumë i drejtë.
Gazetarja: Po agresorin si e njihni?
Fqinja: Ky që bëri krimin, shumë i mirë ka qenë, por ky ka qenë i sëmurë. Kohët e fundit ai nuk ka pirë ilaçe edhe ne po pësojmë traumë. Ai ka qenë në punë, këto 2-3 ditë nuk e di se sa kohë ka pa punë, dhe kushtet që janë të vështira, rrogat janë të vogla edhe ai ka pësuar traumë. Nuk e di se si ka ardhur, por këto jetonin bashkë. Nuk ka pirë ilaçet dhe ai ka kaluar në fazë.
Top Channel