Sfidat e superiores/ Partizani-Egnatia dhe Tirana-Kukësi

08/04/2023 15:34

Ditën e djeshme është zbardhur zyrtarisht java e 28-të e Abissnet Superiores, ku ndeshjet janë përcaktuar të luhen në dy ditë, të dielën 3 takime dhe dy të tjera ditën e hënë.

Kryesueset e Superiores Tirana dhe Partizani luajnë në të njëjtë ditë, të hënën në këtë fazë të katërt të sezonit duke qenë se ndodhen në të njëjtën kuotë pikësh dhe vetëm përballjet direkt në favor të të kuqve i mbajnë ata përpara. Partizani do të udhëtojë drejt Rrogozhinës për të përgatitur ndeshjen ndaj Egnatias e cila në këto ndeshje të fundit ka rikuperuar ndjeshëm dhe ka siguruar për momentin vendin e tretë.

“Egnatia është e treta. Ata kërkojnë të fitojnë që të hyjnë në lojën për titullin. Për mendimin tim Egnatia është një skuadër e fortë, e kam thënë gjithmonë. Sigurisht që ata do të bëjnë maksimumin për ta fituar ndeshjen. Nëse e realizojnë këtë gjë do të jenë një kundërshtar në luftën për titull. Por ne do të bëjmë më të mirën për ta fituar ndeshjen tonë. Nëse nuk e arrijmë do të synojmë të njëjtën gjë ndeshjen e radhës”, tha trajneri i Partizanit, Giovani Colella.

Partizani është nisur në grumbullim që ditën e sotme ku do të zhvillojë seancën e fundit stërvitore në Luz të Kavajës. Ndërkohë Tirana do të presë në “Elbasan Arena” skuadrën e Kukësit e cila po kalon një periudhë të vështirë rezultatesh dhe financiare, megjithatë përballjet e këtyre dy skuadrave kanë qenë gjithmonë interesante në vitet e fundit. Megjithatë konferenca e fundit e trajnerëve në prag të ndeshjes të së hënës do të zhvillohet ditën e nesërme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA