Reforma historike për pagat e administratës shtetërore, e lajmëruar nga kryeministri Edi Rama në prag fushate, ka suprizuar edhe mësuesit: brenda vitit 2024 rrogat e tyre gati do të dyfishohen.
“Tani do e rrisim 7%, ndërkohë deri vitin tjetër rroga e mësuesve do të shkojë në 900 mijë lekë, ndërsa në gjimnaze më shumë se 1 milionë. Ky nuk është premtim, është plan financiar”- është shprehur kryeministi Rama.
Shtimi i të ardhurave, për mësuesit, është një masë për ndalimin e emigrimit që duhej të ishte marrë si vendim më herët, si dhe në të njëjtën kohë motivues për të bërë më mirë punën e tyre, e gjithashtu i nevojshëm në një periudhë krize financiare.
“Ne e përshëndesim rritjen e pagave sepse një mësues e ka të pamundur të bëjë një jetesë normale sot me këto çmime të larta. Teksa rritja e pagave është frenues i ikjes së mësuesve, si dhe e bën të pëlqyeshëm këtë profesion për të rinjtë”– tha Nevrus Kaptelli
Rritja e rrogave duhet të shoqërohet sipas përfaqësuesve të sindikatës së arsimit edhe me shtimin e buxhetit.
“Mësuesit përveç rritjes së pagave kanë nevojë edhe për kushte pune, duhet investim në infrastrukturë, shkencë. Ndaj buxheti i arsimit duhet të rritet po ashtu e të shkojë 5% e GDP-së”- tha Isa Halilaj.
Faza e parë e rritjes së pagës së mësuesve me 7% përkon me nivelin e inflacionit, ndaj ndryshimin më të madh të pagës, arsimtarët pritet ta ndiejnë vitin që vjen.
Top Channel