“Ndjej përgjegjësi personale”/ Clinton bën ‘mea culpa’: Marrëveshja ime nukleare duhet fajësuar për pushtimin rus të Ukrainës

05/04/2023 22:57
Në foto: Presidentët Clinton i SHBA, Yeltsin i Rusisë dhe Kravchuk, Ukrainë, bashkojnë duart pas nënshkrimit të marrëveshjes së çarmatimit bërthamor në Kremlin.

Ish-Presidenti i SHBA-ve Bill Clinton, në një rrëfim ndryshe, ka deklaruar se “ka përgjegjësi personale” në luftën e Rusisë me Ukrainën. Përmes një interviste për rrjetin irlandez RTE, Clinton thotë se ka bërë një gabim ‘të tmerrshëm’ duke detyruar Ukrainën të heqë dorë nga armët bërthamore të Luftës së Ftohtë në vitin 1994.

Ndihem shumë keq për këtë, ndjej përgjegjësi personale sepse i bëra ata të pranonin të hiqnin dorë nga armët e tyre bërthamore”, tha Presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Clinton kërkoi që Kievi të dorëzonte armët bërthamore në një marrëveshje me Moskën, mirëpo në një shfaqje të rrallë përulësie 29-vite pas, ai tha se: “Ukraina është një vend shumë i rëndësishëm dhe ndihem në faj sepse asnjë nuk e beson që Rusia do të kishte arritur në këtë pikë nëse Ukraina do të kishte ende armët e saj.”

Ukraina mbajti një rezervë armësh bërthamore pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Me nënshkrimin e deklaratës trepalëshe në janar të vitit 1994, ajo hoqi dorë nga këto armë bërthamore, edhe pse nuk kishte kontroll përfundimtar mbi armët sovjetike përpara se të firmoste për mospërhapjen.

Disa ukrainas kanë shprehur besimin se Moska nuk do të kishte urdhëruar trupat e saj mbi kufirin në vend në shkurt 2022 nëse Ukraina do të kishte mbajtur këto armë. Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko tha më parë për Fox Neës se “Ukraina është i vetmi komb në historinë njerëzore që hoqi dorë nga arsenali bërthamor, i treti më i madhi në botë në 1994.

Kyiv e bëri këtë me garancitë e SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Federatës Ruse. Ku janë këto garanci? Tani ne jemi të bombarduar dhe të vrarë.”

Megjithatë, disa ekspertë kanë kundërshtuar pretendimet se nëse armët bërthamore të mbetura në Ukrainë do të kishin devijuar rrjedhën aktuale të luftës. Clara Guest, një asistente kërkimore në financat e përhapjes në King’s College në Londër, MB shkroi në mars 2022 se “Ukraina nuk do të kishte qenë kurrë në gjendje të ruante armët dhe objektet e saj bërthamore ose të prodhonte dhe prodhonte komponentë të rinj” duke pasur parasysh mungesën e fondeve për të, një vend i cili sapo kishte fituar pavarësinë.

Deklarata trepalëshe, siç dihej, u nënshkrua nga Clinton, lideri i atëhershëm rus Boris Yeltsin dhe presidenti ukrainas Leonid Kravchuk në janar 1994. Rusia, SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar më pas i ofruan Ukrainës një sërë garancish sigurie në këmbim të eliminimit armët bërthamore në Memorandumin e Budapestit më vonë atë vit.

E dija se presidenti Putin nuk e mbështeti marrëveshjen e bërë nga Presidenti Jelcin për të mos ndërhyrë kurrë në kufijtë territorialë të Ukrainës – një marrëveshje që ai bëri sepse donte që Ukraina të hiqte dorë nga armët e saj bërthamore”, tha Clinton.

Kyiv kishte “frikë të hiqte dorë prej tyre”- tha Clinton, për shkak të besimit se një rezervë bërthamore ishte “e vetmja gjë” për të ofruar mbrojtje nga “një Rusi ekspansioniste”.

“Kur u bë e përshtatshme për të, Presidenti Putin e theu marrëveshjen dhe fillimisht mori Krimenë. Ndihem tmerrsisht keq për këtë”- tha Clinton.

Rusia aneksoi ilegalisht gadishullin e Krimesë, në jug të Ukrainës kontinentale, në vitin 2014.

Armët bërthamore kanë luajtur një rol të rëndësishëm në diskutimet rreth luftës në Ukrainë. Që në ditët e para të pushtimit, Rusia ka aluduar për përdorimin e mundshëm të arsenalit të saj bërthamor pasi vendet e NATO-s, aleatë të Kievit, mbështetën përpjekjet e Ukrainës për rezistencë.

Top Channel