Gruaja e mbretit Charles III është quajtur për herë të parë zyrtarisht si Mbretëresha Camilla, ku është shkruar në festat për kurorëzimin e mbretit më 6 maj.
Ftesa do t’u dërgohet 2000 të ftuarve që do të formojnë kongregacionin në Westminster Abbey, sipas një njoftimi për shtyp nga pallati.
Princi George, nipi i Charles dhe trashëgimtari i fronit, do të jetë një nga tetë djemtë e zgjedhur për të marrë pjesë gjatë Shërbimit të Kurorëzimit, shkruhej në njoftim, ku grupi përfshin tre nga nipërit e Camilla.
Një portret i ri i çiftit u publikua gjithashtu nga pallati të martën, i realizuar muajin e kaluar në Pallatin Buckingham nga fotografi britanik Hugo Burnand, i cili bëri fotot e tyre të dasmës në vitin 2005.
Që kur ajo dhe Charles u martuan, Camilla ka punuar shumë si një anëtar i familjes mbretërore, duke qëndruar në krah të Charles dhe duke përkrahur bamirësinë dhe duke ndihmuar gratë dhe fëmijët. Por shumë njerëz e kanë të vështirë të harrojnë, ose të falin, lidhjen e tyre të gjatë dhe dhimbjen që shkaktoi gruaja e parë e Charles, e ndjera Diana, Princesha e Uellsit.
Në shkurt të vitit 2022, mbretëresha e ndjerë Elizabeth përdori momentin historik të jubileut të saj të Platinit për t’i dhënë bekimin e saj, duke thënë se kur Charles të hynte në fron, Dukesha e Cornwall-it do të njihet “si Queen Consort” ndërsa vazhdon shërbimin e saj besnik.
Kurorëzimi do të jetë tre ditë festimesh në të gjithë vendin, në të cilat publiku do të ftohet të marrë pjesë.
Top Channel