Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u prit me nderimet më të larta ushtarake pas mbërritjes në Poloni, për një vizitë në të cilën shoqërohet edhe nga bashkëshortja e tij, Olena.
Presidenti polak, Anderzej Duda, i uroi mirëseardhjen homologut ukrainas, me të cilin duket sot më të afërt se kurrë. Varshava konsiderohet një prej aleatëve më të rëndësishëm të Kievit në luftën kundër pushtimit rus dhe është ofruar pa hezitim të strehojë shumë ukrainas që i largohen konfliktit. Duda i dorëzoi Zelenskyt dhe Urdhrit më të lartë të vendit të tij, atë të Shqiponjës së Bardhë.
“Nuk kemi asnjë dyshim mbi qëndrimin tuaj, si dhe mbi heroizmin e ushtarëve ukrainas të cilët e shpëtuan Ukrainën”, tha presidenti Andrzej Duda.
“E pranoj këtë dekoratë si një nderim për të gjithë popullin ukrainas, për ushtarët tanë guximtarë që na mbrojnë të gjithëve. Ata po mbrojnë territorin dhe sovranitetin e Ukrainës, të Polonisë e të gjithë Europës”, tha Zelensky.
Ndihma e Polonisë për Ukrainën ka qenë shumëplanëshe. Ajo u bë shteti i parë që dërgoi në fillim të muajit mars tanke Leopard 2 në Ukrainë, ndërsa të martën njoftoi transferimin e disa prej avionëve të saj luftarakë MiG-29 në Ukrainë. Katër avionët e para të këtij lloji, Kievit ia nisi Sllovakia në fundin e muajit të kaluar.
Që prej fillimit të agresionit rus shkurtin e vitit të kaluar, Zelensky shumë rrallë ka udhëtuar jashtë vendit. Udhëtimi i parë i tij ishte në dhjetor, ne Shtetet e Bashkuara ndërsa në shkurt, presidenti ukrainas që është ruajtur të mos shënjestrohet nga rusët, vizitoi Londrën, Parisin dhe Brukselin.
Top Channel