“Ndërhyrje të errëta të financimeve ruse”/ Kërkoi nga SPAK të hetojë Kryemadhin, Bushka: Nuk e dua në emër të PS-së

03/04/2023 21:37

Deputetja e Partisë Socialiste Klodilda Bushka sqaroi në “Top Story” deklaratën e saj për të zbardhur dokumentet e publikuara për implikimin e ish-kryetares së LSI-së dhe deputetes së Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi me rusët.

Ajo u shpreh se këtë gjë nuk e ka kërkuar si deputetet e PS-së, por si një qytetare e cila kërkon zbardhjen e një çështjeje.

“Sot unë kam dalë në një deklaratë për shtyp në emër të Partisë Socialiste për të kërkuar dy gjëra, në radhë të parë vetë zonja Kryemadhi të dalë t’i sqarojë këto fakte që kanë dalë dhe drejtësia të bëjë punën e saj. Kjo nuk është një akuzë e bërë nga kampi politik, është një akuzë që doli nga dokumentat shumë me guxim që Top Channel arriti t’i paraqesë.

Për mua kjo nuk ka lidhje me partinë politike që përfaqësoj, pasi unë e them gjithmonë që PS-ja dhe partitë e tjera nuk mund të bëjë as rolin e prokurorit dhe as të gjyqtarit. Janë organet ligjzbatuese që duhet të jenë në dijeni të fakteve të tilla. Në 2017-tën kemi fituar 74 mandate vetëm, nuk kemi qenë sëbashku në të njëjtën llogore me zonjën”, u shpreh Bushka.

Ndër të tjera deputetja socialiste u shpreh se në këtë çështje bëhet fjalë për ndërhyrje të errëta të financimeve ruse për destabilizimin e vendit.

“Kjo është një çështje e cila mendoj që po të ishte kaq e thjeshtë për tu hapur do të ishte nxjerrë në pah nga organet e drejtësisë. Po flasim për ndërhyrje të errëta të financimeve ruse për destabilizim të rajonit dhe Shqipërisë. Po të kishte qenë kaq e lehtë për PS-në për t’i zbuluar, ne do t’i kishim denoncuar. Do i kishim dërguar organeve të drejtësisë ta zbardhin.

Çështja e ndërhyrjeve ruse në Shqipëri nuk është një çështje e interesit elektoral. Çdokush duhet të dalë mbi interesat e vogla duhet të jenë të kujdesshëm. Një vend që rreshtohet me vendet e përparuara dhe në NATO është pikërisht Kremlini, Putini dhe oligarkët e tij që kërkojnë të financojnë partitë. Ne do të ishim të parët në front për t’i bërë publike. Duhet të sqarohet nga personat që akuzohen”, tha Bushka.

Top Channel