“Ky është një gjyq individual”/ Gjyqi i mbajtur në Hagë për ish-krerët e UÇK-së, Çejku: Do të zgjasë minimumi dy vite

03/04/2023 19:05

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë dhe Maqedoni, Arben Çejku i ftuar në “Top Talk” tregoi disa detaje nga gjyqi që po mbahet në Hagë për ish-krerët e UÇK-së.

Sipas tij gjyqi është individual dhe se nuk i bëhet UÇK-së, por personave të cilët akuzohen për krimet e kryera gjatë kohës së luftës në Kosovë.

“Në fakt që kur është miratuar ligji për themelimin e kësaj gjykate speciale e Kosovës që vepron në Hagë. Kur është themeluar është thënë që po bëhet për të verifikuar krime individuale të bëra nga personat e caktuar në bazë të akuzave që vinin nga ndërkombëtarët, përfshirë edhe raportin e Dick Marty. Pra kuadri ligjor i themelimit të kësaj gjykate nuk është për tu marrë me një organizatë, siç është UÇK-ja, por për tu marrë me raste specifike të personave konkretë. Është brenda kuadrit ligjor dhe në këndvështrimin e përgjithshëm sigurisht nuk është vetëm prokurori por edhe zyrtarë të tjerë. Ata e kanë përsëritur që ky gjykim bëhet për persona të caktuar, dhe jo kundër UÇK-së”, u shpreh Çejku.

Ish-ambasadori deklaroi se në një mënyrë ose një tjetër me këtë gjyq, goditet imazhi i UÇK-së dhe Kosovës.

“Nuk është një gjyq që i bëhet UÇK-së. Ku është një gjyq që i bëhet personave. Natyrisht ky gjyq që i bëhet krerëve të UÇK-së ose zyrtarëve të lartë të Kosovës. Është një gjyq dramatik që në një mënyrë ose tjetër godet imazhin e Kosovës dhe UÇK-së”, shtoi më tej ai.

Ndër të tjerat Çejku tha se do të zgjasë minimumi dy vite gjyqi që nisi sot në Hagë.

“Ky është një gjyq që bëhet për katër krerët e UÇK-së. Uroj të kthehen të pafajshëm pranë familjes së tyre. Ne jemi përballë një gjykimi të pazakontë. Prokurori ka 600 orë kohë për të paraqitur provat. Në një përllogaritje të përafërt, duket që minimumi dy vite do të zgjasë kjo dramë që nisi sot”, përfundoi ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA