Kush i solli dokumentet për Kryemadhin në Top Channel? Kryeredaktori Kreka: I verifikuam, disa fakte janë publike

03/04/2023 21:20

Kryeredaktori i Top Channel, Altin Kreka tregoi platformën që përdorën personat anonimë për të dërguar faktet në redaksinë e Top Channel, të cilat flasin për implikimin e ish kryetares së LSI-së dhe deputetes së Partisë të Lirisë, Monika Kryemadhi në lidhje ruse.

Ata përdorën platformën Proton, e regjistruar në Zvicër, e krijuar nga disa shkencëtarë  që kanë si parim bazë ruajtjen e privatësisë dhe të dhënave personale të përdoruesve.

Për shkak të sigurisë së lartë, është shumë e vështirë që kjo platformë të gjurmohet.

Duma: Kur kanë ardhur në redaksinë Top Channel këto fakte dhe në dijeninë tuaj a kanë shkuar në media të tjera këto informacione për t’u botuar?

Kreka: Unë dua ta nis kur këto fakte u bënë të ditura jo vetëm për Top Channel, por edhe për media të tjera. Dua të kujtoj publikimin e Eureport, ku pak a shumë ishin këto të dhëna që u transmetuan dhe u publikuan nga ai portal, ndërkohë që të dhënat që ne kemi publikuar pak ditë më parë kanë mbërritur në e-mailin zyrtar të redaksisë së Top Channel disa ditë më parë, rreth datës 22 dhe ne nga ajo datë deri në këtë moment kemi marrë kohën tonë për t’i verifikuar. Në dijeninë time këto të dhëna nga një burim anonim kanë mbërritur edhe në media të tjera, arsye perse s’i kanë publikuar mbase i shpjegojnë ata. Por ne vendosëm, morëm një vendim editorial pas verifikimeve që bëmë për t’i publikuar.

Duma: Një vendim, dua ta them këtë është marrë pas një momenti jo aq favorizues për Top Channel, është akti terrorist i goditjes, megjithatë ju keni bërë të ditur mbi këtë.

Kreka: Në fakt ne atë ditë (ditën e sulmit terrorist ndaj Top Channel) ne ishim duke punuar për këto të dhëna dhe vendimi nuk u kushtëzua nga ajo që ndodhi, ne situata të vështira kemi hasur edhe më parë, jo si kjo që ndodhi, por  jemi mësuar që të mos e deformojmë punën tonë nën presion.

Duma: Të vijojë misioni!

Duma: Të tjera media e kanë pasur këtë informacion dhe Top Channel ka marrë guximin. Kemi qartësi që në një mënyrë apo në një tjetër këto dokumente dihen që janë të faktuara?

Kreka: Një pjesë e tyre janë lehtësisht të faktueshme, janë dokumente publike që tregojnë lidhjen e personave të permendur në këtë investigim që është bërë dhe që neve na u vu në qdijeni. Janë dokumente dhe burime të hapura si Forbes, burime të dokumenteve të Pandora Papers. Çdokush mund t’i kërkojë personazhet e ndryshëm, aksionerët e këtyre kompanive që janë sanksionuar nga Perëndimi për lidhjet e tyre me Putin, apo partitë që mbështet Putin, apo kompani që janë dënuar për korrupsion apo punë të pista.

Duma: Pra shfaqen edhe në Pandora Papers.

Kreka: Po.

Duma: Nga cila platformë është dërguar e-maili?

Kreka: Ne vumë re që dërguesit kanë zgjedhur një platformë që quhet Proton, e regjistruar në Zvicër, e krijuar nga disa shkencëtarë të Cerrnit që kanë si parim bazë ruajtjen e privatësisë dhe të dhënave personale të përdoruesve. Në këtë mënyrë është e vështirë të gjurmohet se nga dhe si kanë ardhur. Ata që kanë verifikuar dhe kanë gjetur këto të dhëna kanë hapur një adresë e maili në këtë platformë, nga më të sigurtat në ruajtjen e privatësisë të përdoruesve të saj dhe e kanë dërguar. Të dhënat që kanë dërguar, të cilat një pjesë të tyre, mos të themi shumicën ne i kemi publikuar për të ndihmuar transparencën edhe kolegët e tjerë që të kenë mundësinë t’i shikojnë apo të marrin guximin t’i shikojnë këto dokumente dhe të diskutojnë mbi to. Është një rast specifik kur të dhënat vijnë nga një burim anonim, kështu ndodhi edhe me Eureport, në këtë mënyrë mbërritën atje. Për këto të dhëna duhet një verifikim i dytë ligjor, që duhet të ishte nga organet e drejtësisë në këtë rast.

Kujtojmë se Top Channel publikoi fakte autentike të cilat mbërritën në redaksitë tona nga burime anonime dhe që flasin për implikimin e ish kryetares së LSI dhe deputetes së Partisë së Lirisë në lidhje ruse.

Këto fakte janë faturat bankare, llogaritë bankare në disa banka në Zvicër dhe Portugali e Qipro nga të cilat Kryemadhi ka marrë dhe ka dërguar para në kompani offshore që ishin në zotërim nga aksionerët kryesorë të lidhur ngushtësisht me politikat dhe me vetë presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, partinë e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA