Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së hënës një problematikë në sportin e çiklizmit në Shqipëri, ku sportisti më elitar i kësaj disipline ankohet se Presidenti i Federatës e ka sharë dhe ofenduar.

Madje, nuk e lejon të garojë me ekipin aktual belg në Turin e Shqipërisë 2023. Në redaksinë e emisionit investigativ u ankua çiklisti Ylber Sefa, kampion i shumëfishtë në sportin e çiklizmit në Shqipëri, dy herë fitues i Turit të Shqipërisë, 1 herë kampion Ballkani si dhe fitues i shumë garave në Evropë.

“Kam një ankesë që shpresoj të ma merrni në konsideratë, sepse s’po gjej mbështetje askund tjetër. Unë aktualisht garoj në Belgjikë me një ekip belg dhe jam 6 vjet kampion i Shqipërisë. Më 22 maj 2023 bëhet turi i Shqipërisë dhe Presidenti i Federatës, Skënder Anxhaku, për tekat e tij urryese nuk më pranon dhe nuk më lejon të marrë pjesë në këtë garë. Federata ka vite që mundohet të më shkatërrojë karrierën dhe për shkak të këtij personi jam larguar nga Shqipëria”, thotë Ylberi.

Më tej pohon se z. Anxhaku “e ka kthyer federatën në biznes personal prej 23 vitesh”. Ai tregon se Presidenti i kësaj federate e ka sharë dhe ofenduar.

“Mua personalisht më ka sharë dhe ofenduar. Unë ankohem sepse dua të marr pjesë në Turin e Shqipërisë 2023 me ekipin belg ku edhe jam pjesë. Federata nuk më lejon, pasi më vë kusht që në këtë tur të marr pjesë me ekipin kombëtar. Në tur ka edhe skuadra të tjera, madje edhe nga Belgjika dhe skuadra ime nuk lejohet të marrë pjesë, pasi presidenti i Federatës i do paratë për vete. Ata po mundohen që me djersën time të marrin shpërblime dhe ne sportistët nuk marrim asnjë kacidhe”, thotë çiklisti.

Ai shton se vitin e kaluar ka fituar Turin e Shqipërisë dhe nuk ka marrë asnjë shpërblim.

“Vjet s’më dhanë asnjë shpërblim. Mora disa para’ për fitimin e disa etapave por jo në klasifikimin e përgjithshëm. Mua s’m’u hodh asnjë kacidhe në llogari bankare, pasi i kaluan Federatës dhe ata s’më dhanë asnjë gjë. Unë këtë kërkoj të më lënë të garoj me skuadrën time, të marr pikët e mia dhe asnjë gjë tjetër. Unë kam fituar dy herë Turin e Shqipërisë, jam aktualisht sportisti më elitar në çiklizëm dhe s’marr asnjë të ardhur. Vjet në 2022 donin që unë mos ta fitoja, madje jam grindur edhe me shokët e ekipit. Më kanë rrëzuar në etapën e parafundit dhe kam fituar në etapën e fundit, ku mora edhe kryesimin në renditjen përfundimtare”, përfundon ai.

Pas ankesës, gazetarët e emisionit investigativ Fiks Fare interesohen te Federata e Çiklizmit, ku takojnë sekretarin e përgjithshëm. Ai thotë si i ka dhënë disa shpërblime Ylberit për fitimin e etapave, ndërkohë që pohon se ligji nuk ia lejon që ti japë shpërblimet që merr nga ministria pasi Turin e Shqipërisë e fitoi kombëtarja.

“Nuk na lejojnë, na gjejnë shkelje”, thotë ai. Ndërkohë, në lidhje me garimin e Ylberit me ekipin belg, sekretari thotë se nuk lejohet që të jetë edhe kombëtarja edhe ekipi belg pasi nuk lejohet nga UCI (Federata Ndërkombëtare e Çiklizmit).

Gazetarët e Fiksit intervistojnë Presidentin e Federatës së Çiklizmit, Skënder Anxhakun, i cili pranon se sportisti më elitar në atë disiplinë është Ylber Sefa. Gazetarët e pyesin se përse nuk do që Ylberi të marrë pjesë me ekipin belg, pasi kjo s’është garë kombëtareje po Turi i Shqipërisë, ku marrin pjesë skuadra.

Ai pohon se rregullorja e UCI nuk e lejon edhe kombëtaren edhe skuadrat ku militojnë sportistë shqiptare dhe për këtë arsye o njëra o tjetra duhet të marrë pjesë. I themi nëse ka marrë shpërblim vjet Ylberi, na thotë e ka marrë 500 euro në total.

Por, pyetjes se përse e ka sharë dhe ofenduar këtë sportist, Presidenti përgjigjet se “Nga këtu (mesi trupit) e poshtë i heq kapelën. Nga këtu e lartë është 0”! Gazetarët i tërheqin vërejtje, pasi e cilësojnë si ofendim, ndërsa z. Anxhaku përgjigjet se “jo nuk është ofendim, ia kam thënë në sy unë”!

FOTO GALERI
2/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA