Të pjekur apo të freskët? Mësoni si duhen konsumuar arrorët për një shëndet të mirë

31/03/2023 13:59

Arrorët, pra arrat, bajamet, lajthitë etj,  janë një ushqim i shpejtë dhe i shijshëm për shumë njerëz.

Disa i preferojnë arrorët e pjekur, ndërsa disa i duan të pagatuar që të ngopen me shijen krokante dhe të freskët. Njerëzit që tregojnë kujdes për shëndetin kanë një interes të lartë për produktet më të mira dhe sidomos rolin e arrorëve në shëndet.

Nga të dhënat e  AgroWeb.org obeziteti, depresioni, stresi, diabeti, tensioni i lartë i gjakut dhe kolesteroli i lartë janë disa prej sëmundjeve që shfaqen si pasojë e stilit të keq të jetesës dhe të të ushqyerit.

Vlerat e arrorëve

Është e vështirë t’i garantosh vetes një shëndet të mirë afatgjatë nëse nuk ushqehesh shëndetshëm dhe nuk kryen aktivitete fizike. Të gjithë e dinë se ushqimet e shpejta janë të pashëndetshme, ndaj shumë prej nesh i shmangim ato. Nga ana tjetër, frutat dhe perimet  konsumohen më shumë sepse janë më të shëndetshme.

Edhe arrorët ndajnë të njëjtën famë me frutat dhe perimet dhe duhen konsumuar rregullisht. Nëse kërkoni të ndiqni një regjim të ekuilibruar dhe të shëndetshëm, arrorët duhen bërë pjesë e ushqyerjes ditore.

Kur vjen puna tek arrorët, konsumatorët përballen me një dilemë. A është më mirë t’i pjekim arrorët, apo t’i hamë ashtu siç na i servir natyra. Le t’u hedhim një sy vlerave dhe dallimeve të arrorëve dhe servirjes së tyre në këtë artikull.

Të pjekura apo të freskëta

Pemët frutore dhe arrorët në përgjithësi janë të larmishme. Më të preferuarit janë fistikët, bajamet, arrat, lajthitë dhe gështenjat. Shumë prej këtyre arrorëve janë të pasur me antioksidantë të shëndetshëm, fibër, proteinë, acide yndyrore omega-3, vitamina dhe minerale.

Pra, këta arrorë plotësojnë shumicën e ushqyesve të nevojshëm për një regjim të ekuilibruar ushqimor që ofron shëndet të mirë. Në fakt, arrorët janë të mirë edhe sepse na japin energji, gjallëri, muskuj të fortë, imunitet dhe një formë të mirë trupore.

Prej kohësh, pjekja e arrorëve është servirur si një alternativë më krokante dhe më e shijshme. Pjekja mund të bëhet me ose pa vaj në një enë të thjeshtë gatimi.

Shumë studime të kryera mbi këtë çështje, kanë nxjerrë në pah faktin se nëse arrorët konsumohen të freskët kanë më shumë vlera shëndetësore.

Ekspertët besojnë se acidet yndyrore omega-3 mund të shkatërrohen gjatë pjekjes.

Për më tepër, shumë prej ushqyesve që gjenden tek arrorët siç janë vitamina E apo karotinoidët shuhen gjatë pjekjes në nxehtësi të lartë.

Si përfundim, arrorët e freskët ose të tharë natyralisht janë më të shëndetshëm për njeriun.

Nëse i preferoni të pjekur, së paku reduktoni sasinë e tyre, duke u përpjekur të konsumoni sa më shumë arrorë të freskët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA