Një ditë pasi Zyra e Rregullatorit për Energji në Kosovë vendosi shtrenjtimin e energjisë elektrike për rreth 15 për qind, qytetarë të pyetur nga Zëri i Amerikës, shprehen të shqetësuar për pasojat e këtij vendimi në jetën e tyre të përditshme.
Ata thonë se shtrenjtimi i energjisë elektrike mund të çojë edhe në rritjen e çmimeve të artikujve të përditshëm që edhe ashtu vlerësohen të larta.
“Normalisht që e kam marrë me shqetësim, nuk e di se si do të ia dalim këtyre shtrenjtimeve, nuk është në pyetje vetëm rryma por janë në pyetje të gjitha se ato po lidhen njëra pas tjetrës. Nëse do të na rritnin rrogat, pensionet e të gjitha sikur rrymën e gjërat tjera ndoshta do të mund ta përballonim disi, por këto ngriti e ato jo a thua mendon dikush për ne se çfarë të bëjmë, kujt t’i ankohemi, kot se ankesat nuk po na vlejnë. Pensioner jam, me një pension 180 euro çfarë të bëjmë, ato nuk më dalin vetëm për ilaçe e lëre të tjerat”, thotë Shani Shehu, banor i Prishtinës.
“Para një viti po i bjen domethënë në 2022-ën e kanë shtrenjtuar edhe ajo ka qenë e papërballueshme e tash është edhe më shumë, çfarë të bëjmë, rroga të vogla, pensionistët me 100 euro si ta përballojnë ata? Këtu ka varfëri të madhe, njerëzt e rinjë po ikin për shkak të ekonomisë së dobët për të jetuar më mirë në Evropë e nëpër botë”, thotë një tjetër banor i Prishtinës, Bashkimi.
“Po habitem me ZRRE-në e cila e din gjendjen tonë sepse është organizatë vendore në bashkëpunim me KEDS-in, ata sipas mendimit tim nuk po veprojnë racionalisht, po besojnë në supozime e jo në gjendjen reale. Kështu që shtrenjtimi i rrymës jo vetëm se do të sjell vështirësi vet si shtrejtim por do të shtrentojë edhe artikuj të tjerë sepse gati çdo element, çdo artikull që e blejmë lidhet edhe me rrymën”, thotë një tjetër banor i Prishtinës, Izet Zhuja.
“E kam të vështirë të menaxhoj sepse e kam një pension të ultë, pensionet nuk po rriten, këta për popull nuk punojnë, çmimet shkojnë lart, problem i madh. Duhet të mendojnë për këtë popull sepse populli është në varfëri të madhe”, thotë Agim Mjeku, banor i Prishtinës.
Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, Ymer Fejzullahu, tha të enjten se vendimi është marrë për të siguruar furnizim me energji elektrike 24 orë përgjatë vitit.
“Ne kemi mundur këtë rritje ta shmangim por do të duhej të shkonim në reduktime e reduktimet janë kosto më e madhe për të gjitha kategoritë e konsumatorëve prandaj ne kërkojmë mirëkuptimin e tyre që kjo rritje ka qenë e detyrueshme për të mos pasur ndërprerje të energjisë elektrike por të kemi furnizim me energji elektrike 24 orë”, tha zoti Fejzullahu.
Nga muaji shtator i vitit të kaluar, qeveria e Kosovës ka nisur subvencionimin e faturave të konsumatorëve që kursejnë energjinë elektrike, ku çdo konsumator që shpenzon së paku 5 për qind më pak energji elektrike në një muaj krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak, përfiton dyfishin e përqindjes së kursyer.
Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, tha në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës se deri tash janë subvencionur faturat e 208 mijë familjeve, dhe se kjo ka bërë që të kursehen 50 milionë euro nga buxheti i shtetit.
Ai tha se qeveria edhe këtë herë do t’u dalë në ndihmë qytetarëve duke subvencionuar familjet për konsum deri në 800 kilovat në orë si dhe duke subvencionuar familjet dhe bizneset e vogla në blerjen e pajisjeve efiçiente.
“Në vend që të subvencionohet importi i shtrenjtë, do të ndihmohen familjet e bizneset për të ulur shpenzimet e energjisë”, tha zoti Kryeziu.
Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, qasja e qeverisë së Kosovës me subvencionet është e gabuar.
“Qindra miliona euro të shpenzuara në subvencionim të cmimit të rritur të energjisë nuk e zgjidhin problemin afatgjatë të këtij sektori. Investimi i këtyre milionave në krijimin e kapaciteteve të reja gjeneruese është e vetmja zgjidhje afatgjatë dhe e qëndrueshme”, tha Besian Mustafa nga kjo parti.
Kriza energjetike botërore e cila pasoi agresionin rus në Ukrainë në vitin 2022, ka goditur në masë të madhe edhe Kosovën për shkak të pamundësisë së saj që të përmbushë nevojat e veta me prodhim të brendshëm në njërën anë, dhe çmimeve të larta të importit në anën tjetër.
Kosova përmbush shumicën e nevojave të saj me energji elektrike nga dy termocentrale të vjetra që punojnë me qymyr linjit dhe vlerësohen të dëmshme për mjedisin, ndërsa njohës të fushës në vazhdimësi tërheqin vërejtjen se hapat afatgjatë duhet ta çojnë Kosovën drejt kalimit në energji të ripërtërishme.
Top Channel