Sondazhi i Top Channel me “Angi Richerce”/ Erion Veliaj fitues në zgjedhjet vendore nëse mbahen nesër

30/03/2023 23:06

Top Channel në bashkëpunim me kompanitë e kërkimeve dhe sondazheve “Angi Richerce” prezantuan në Top Story sondazhin e parë parazgjedhor për Bashkinë e Tiranës.

Mbi 1000 të intervistuar u janë përgjigjur pyetjeve nëse do të votojnë në 14 maj dhe se çfarë mendojnë ata për ekonominë e politikat qeverisëse, kryeqytetin, por edhe për liderët politikë dhe se sa i mbështesin.

Sondazhi nis me pyetje të përgjithshme për të zbuluar më shumë rreth votuesve. Pyetja e parë është se si jetohet në Shqipëri. Përgjigjet tregojnë se 54.8 për qind thotë se jetohet keq, dhe 45.2 për qind mendojnë se jetohet mirë.

Pyetja tjetër është se cilat janë problemet kryesore të vendit, ku emigracioni është në krye me 44.9 përqind e më pas, ekonomia, papunësia, pagat dhe pensionet e ulta.

Votuesit ndërkohë janë të ndarë pothuajse njësoj kur pyeten se si po shkon Shqipëria. 48.3 përqind thonë në drejtimin e gabuar dhe 49.4 përqind në drejtimin e duhur.

Ndërsa kur pyeten se cilat janë arritjet kryesore të kryeministrit Rama, shqiptarët vendosin në krye rrugët e reja, integrimin dhe rindërtimin, ndërsa menaxhimi i pandemisë është në çështjet më pak të vlerësuara.

Ndërsa arritjet më të mira të qeverisë Rama, vlerësohen pothuajse njësoj, shëndetësia, zhvillimi, lufta ndaj korrupsionit deri tek në fund rritja e pensioneve. Por se si ka qenë gjendja e familjeve shqiptare gjatë periudhës që ka qeverisur Rama, shqiptarët mendojnë në shumicë se ajo nuk ka ndryshuar.

Pas tre mandatesh në krye te qeverisë, sipas sondazhit, tek Rama kanë besim 57,2% e zgjedhësve. Ndërkohë 49,2 përqind e zgjedhësve mendojnë se aktualisht punët në bashkinë e Tiranës po lëvizin në drejtimin e duhur. Përkundër 38,7 përqind që mendojnë të kundërtën.

Por kur pyeten se si ka qenë cilësia e jetës në katër vitet e kaluara në Tiranë, përqindja më e madhe është e atyre që mendojnë pozitivisht me 45,7 përqind dhe në krye të shqetësimeve të publikut në Tiranë është trafiku dhe ndotja e më pas rrugët, ndriçimi dhe ndërtimet pa kriter.

Kriminaliteti dhe siguria është shqetësimi më i vogël. Ndërsa problem kryesor në kryeqytet cilësohet infrastruktura shkollore, mbetjet urbane. Këto janë  edhe kërkesat që ata kanë për bashkinë e re që nga infrastruktura dhe trafiku e deri tek shtimi i shkollave,  menaxhimi i mbetjeve.

Duke dalë tek vlerësimi për kandidatët, sipas sondazhit, 56 për qind e zgjedhësve janë të kënaqur me punën e Erion Veliajt në bashki dhe po kaq është përqindja e atyre që kanë besim tek ai.

Pyetjes nëse do votojnë më 14 maj, 57,9 përqind i përgjigjen pozitivisht. Pyetjet janë fokusuar edhe tek kandidatët, ku Belind Këlliçi njihet nga 77,2 përqind e zgjedhësve, por e besojnë vetëm 35,1 përqind e tyre.

Sondazhi tregon dhe pyetjen kryesore,  atë se kush do votohet më 14 maj, sipas këtij sondazhi fitues do të jetë Erion Veliaj me 53,8 për qind, ndërsa Belind Këlliçi merr 32,9 për qind.

Duket theksuar se ky sondazh është bërë para se të shpallej kandidati i dytë nga opozita, Roland Bejko në emër të PD-së dhe pyetjes së fundit, nëse do të votohej nesër për zgjedhjet e përgjithshme kë do votonin, 51,7 përqind përgjigjen për Partinë Socialiste dhe 37 përqind për grupimin opozitar “Bashkë Fitojmë”, ndërsa PD e Alibeajt merr 5,7 përqind dhe PSD 2,6 përqind.

Top Channel në bashkëpunim me “Angi Richerce” do realizojnë sondazhe të tjera deri para ditës së zgjedhjeve për të treguar se si po ndryshon perceptimi i publikut gjatë fushatës dhe në fund të saj.

FOTO GALERI
1/21

Top Channel