Rritja ekonomike, një nga indikatorët më të rëndësishëm makroekonomikë, arriti nivelin 4.84% gjatë 2022-it.
Krahasuar me një vit më parë, rritja ekonomike vjen e përgjysmuar, por 2021 i quajtur ndryshe si viti i rimëkëmbjes bazë krahasimore kishte vitin pandemik, ndërsa rritja në 2022-in është një prej më të fortave në mesataren pesë-vjeçare përpara periudhës së pandemisë.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se ekonomia gjatë tremujorit të fundit u rrit me 4.73% e udhëhequr nga sektori i ndërtimit, ndjekur nga tregtia, transporti, aktivitetet financiare. Bujqësia nga krahu tjetër vijon të qëndrojë në vendnumëro. Edhe sektori i argëtimit dhe kulturës ka pasur një rënie dramatike gjatë gjithë vitit. Turizmi nga krahu tjetër dha një kontribut të fortë, sidomos gjatë tremujorit të tretë, duke bërë që rritja ekonomike të tejkalonte edhe pritshmëritë e institucioneve ndërkombëtare.
Numri i shtetasve të huaj që hynë në vend pati një rritje të fortë gjatë muajit shkurt. Të dhënat e INSTAT tregojnë se janë rreth 309 325 shtetas të huaj që erdhën në vend, me rritje 53.9% nga një vit më parë. Edhe vizitat nga shtetasit shqiptarë kanë pasur një rritje me 49.6%.
Turizmi po tregon shenja të mirë këtë fillimvit, pasi në dy muajt e parë shtetasit e huaj që erdhën në vend janë me rritje 73.7%. Kjo është edhe më e lartë edhe se në vitin 2019, një nga më të mirët për turizmin.
Europa Jugore vijon të dominojë për vendet nga vijnë turistët ndjekur nga Evropa Perëndimore. Banka e Shqipërisë në bilancin e pagesave gjithashtu ka treguar se turistët sollën të ardhura rekord gjatë vitit të kaluar në 2.81 miliardë euro.
Top Channel