Rama në samitin e Demokracisë: Mbetemi shpresëplotë për ndihmën e SHBA-së për luftërat që nuk mund t’i fitojmë vetëm

29/03/2023 19:22

Kryeministri, Edi Rama ka qenë i pranishëm ditën e sotme në Samitin e Demokracisë të organizuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden

Duke folur për agresionin rus, Rama e cilësoi samitin si tepër të rëndësishëm dhe kërkoi mbështetjen e SHBA-së në lidhje me “luftërat” të cilat nuk fitohen vetëm, siç ishte rasti i agresionit kibernetik.

Fjala e Kryeministrit Edi Rama:

Është nder për mua t’i drejtohem për herë të dytë këtij Samiti të Demokracisë, të nisur nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ju faleminderit, z. President.

Një vit pas fillimit të agresionit rus kundër Ukrainës, ky raund i dytë i mbledhjes së demokracive rreth tryezës përfton një kuptim të ri sa i takon urgjencës dhe rëndësisë së tij.

Si një vend që ka përjetuar errësirën e regjimit diktatorial dhe mungesën e lirive bazë, që prej momentit që është bërë pjesë e bashkësisë së demokracive, Shqipëria ka dëshmuar jo vetëm angazhim kombëtar për të ndërtuar një shtet që mbështetet te institucionet demokratike, por po ashtu ka ecur me këmbëngulje në rrugëtimin e saj sfidues pikërisht drejt këtij destinacioni të ri në historinë tonë. Ne kurrë nuk do të mundemi të falënderojmë mjaftueshëm modelet tona dhe aleatët tanë strategjikë, ShBA-në dhe BE-në, që na frymëzojnë në këtë rrugë të re, plot kthesa.

Edhe pse ende një demokraci shumë e re, sot, Shqipëria është anëtare krenare e kësaj bashkësie demokracish, duke dëshmuar vlerat dhe bindjet e saj në arenën ndërkombëtare, jo vetëm si anëtare e NATO-s dhe një vend kandidat i BE-së, por edhe duke përmbushur detyra të veçanta, si kryesimi i OSBE-së në vitin 2020 ose mandati aktual si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Nga ana tjetër, përmirësimi i jetës demokratike mbetet përparësia jonë kryesore dhe t’u shërbejmë më mirë qytetarëve tanë është pjesa më e rëndësishme e punës sonë të përditshme.

Revolucioni digjital i shërbimeve publike në Shqipëri, që nisi vetëm me pak shërbime në e-Albania disa vjet më parë, u ka dhënë qytetarëve tanë tanimë mundësinë e marrjes së 1,225 shërbimeve online  ose rreth 95% të të gjitha shërbimeve publike, që nënkupton më shumë transparencë dhe jo më ryshfet në ndërveprimin midis shtetit dhe qytetarëve të tij. Kjo nuk do të thotë se mund të deklarojmë fitoren kundër korrupsionit, por thjesht se mund të provojmë ambicien tonë, vullnetin dhe këmbënguljen tonë për ta luftuar atë me një vizion të qartë modernizimi.

Reforma jonë në drejtësi, që është në themel të agjendës sonë të reformave transformuese, po i tregon më në fund vendit se, po, të luftosh korrupsionin është jo vetëm e mundshme, por e bëshme. Ndaj, falë një reforme të tillë tërësore dhe institucioneve krejt të reja të drejtësisë, ajo çfarë ishte historikisht e paimagjinueshme deri pak vite më parë, po bëhet praktikisht e mundur: individët e lidhur me pushtetin dënohen dhe ndiqen penalisht. Kjo nuk kishte ndodhur kurrë më parë në historinë e Shqipërisë.

Si pjesë e Nismës së Partneritetit për Qeverisje të Hapur, Shqipëria vazhdon të punojë drejt një qeverisjeje më të hapur, më reaguese dhe më të përgjegjshme ndaj qytetarëve të saj. Ne jemi krenarë që gjendemi në krye të indeksit të OKB-së për pjesëmarrjen e grave në qeverisje dhe që shohim sesi hendeku gjinor në forcën e punës zvogëlohet çdo vit me hapa të qëndrueshme – nga më shumë se 20% më pak 10 vite më parë, në më pak se 14% sot.

Është bërë shumë punë në të gjitha frontet, por duhet bërë edhe më shumë, ndaj, kjo është ajo për të cilën luftojmë, duke qenë të përqendruar te destinacioni ynë i ri i integrimit të plotë të Shqipërisë në komunitetin euroatlantik dhe duke i shërbyer këtij qëllimi krah për krah me aleatët tanë të mëdhenj. Kohët e fundit ne pësuam një sulm kibernetik mjaft të rëndë nga një diktaturë, Irani, dhe mbetemi shpresëplotë se aleatët e Shqipërisë, mbi të gjitha ShBA-ja, do të bëjnë më shumë për të na ndihmuar të mbrojmë vendin tonë në një luftë që nuk mund ta fitojmë të vetëm.

Ju falemnderit!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA