“Albania Got Heritage” apo “Shqipëria ka trashëgimi” ishte projekti fitues pas një përgatitjeje disa ditore të një grupi të rinjsh pjesë e programit Impact Week në universitetin e Gjirokastrës.
Ngjarja që grumbulloi rreth 100 pjesëmarrës përfshi studentë, nxënës, biznese, staf akademik dhe një grup trajnerësh ndërkombëtarë prezantoi 12 ide inovative në fushën e teknologjisë, biznesit të qëndrueshëm, marketingut efektiv, bizeneseve sociale të menaxhuara nga të rinjtë, lidhjes së punëkërkuesve me punëmarrësit përmes një aplikacioni apo zgjidhjeve efektive në reduktimin e mbetjeve me fokus turizmin rural.
“Ishte shumë frymëzuese të shikoje të rinjtë të përfshiheshin në mbrojtjen e trashëgimisë. Kjo do të thotë se identiteti është një aspekt shumë i rëndësishëm i jetës për banorët por edhe për ta përdorur si potencial për turizmin”, shprehet Sabrina.
“U përfshiva me shumë dëshirë në orientimin e këtij grupi. Unë besoj se në këtë vend kemi mësuar shumë për jetën dhe trashëgiminë. Janë të rinj që besojnë tek e ardhmja dhe kanë nevojë t’ju jepen shanse. Unë jam nga India, por e shikoni që po mbaj një plis në kokë sepse nuk ishte e vështirë të përfshihesha”, tregon Jitesh.
Bashkimi dhe grupi i tij ishin fitues të vendit të dytë në këtë event. Ata propozuan një fushatë “Take 5” ose merr 5 mbetje për ti hedhur në kosh si turist, si banor apo si udhëtar.
Ngjarja përcolli përvojën e një metodologjie frymëzuese për dizejnimin e ideve. Deri tani në mbarë botën këto evente kanë sjellë mbi 4000 ide inovative të të gjitha fushat ndërsa një pjesë e tyre janë finalizuar me krijimin e sipërmarrjeve, rrjetëzim ndërkombëtar dhe gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për të përballuar shpopullimin.
Në Gjirokastër të 12 projekt idetë u fokusuan në katër sfidat e përzgjedhura të rajonit, punësimin, edukimin, cilësinë e jetës dhe sipërmarrjen.
Top Channel