Tradita e fotografive në funeralet e krishtera në Kerala

27/03/2023 10:38

Një fotograf nga shteti jugor indian Kerala Z. Bittu i cili ka një studio fotografie prej 20 vitesh, tregon se përveç fotove që bëjnë në pagëzime, fejesa, dasma, bëjnë foto edhe nëpër funerale.

Ai ka fotografuar të paktën tre funerale të krishterë në distriktin Kottayam vetëm këtë javë.

“Puna e vërtetë fillon tre orë para varrimit, ndërsa fotografojmë familjen e ngushtë, të afërmit dhe miqtë e familjes me trupin”, ka thënë ai.

Fotot e tij tregojnë vajtuesit duke qëndruar të mërzitur pranë arkivolit. Familjet, miqtë dhe të afërmit rreshtohen për të qëndruar në grupe pranë të ndjerit në arkivol dhe për të bërë një foto. Disa qajnë e disa të tjerë duken solemnë.

Bittu me këto foto krijon një album fotografik që bëhet një kujtim për familjen e pikëlluar.

Ekspertët thonë se kjo traditë është unike për të krishterët që përbëjnë 18% të 33 milionë banorëve të Keralas.

“Për një të krishterë, vdekja nuk është plotësisht e trishtuar,” thotë At Mathew Kilukkan, një prift i Kishës Katolike Siro-Malabar në Kerala. “Teologjikisht, vdekja konsiderohet fillimi i udhëtimit të njeriut në parajsë dhe një hyrje në jetën e përhershme.”

Vitin e kaluar, një foto që tregonte një familje të krishterë në distriktin Pathanamthitta duke buzëqeshur pranë arkivolit të matriarkut të tyre të vdekur u bë virale në internet ndërsa njerëzit debatonin për korrektësinë e sjelljes së tyre.

Reagimi bëri që ministri i arsimit të shtetit V Sivankutty të vinte në mbrojtje të familjes. “Çfarë është më e lumtur se t’u japësh një lamtumire me një buzëqeshje atyre që jetuan të lumtur?” ka shkruar ai në Facebook.

 

Regjistrimi i funeralit me video ose foto është si çdo ngjarje tjetër, thotë Raju Kannampuzha, drejtor menaxhues i një kompanie të menaxhimit të ngjarjeve në rrethin Ernakulam.

Por komunitetet hindu dhe myslimanë të shtetit rrallë zgjedhin këtë shërbim, thotë ai.

Është e vështirë të përcaktohet se kur filloi zakoni i fotografimit në funeralet e të krishterëve, thotë At Mathew Kilukkan, një prift i Kishës Katolike Siro-Malabar.

“Fotografia ishte e shtrenjtë kur filloi dhe jo e aksesueshme për të gjithë si sot. Por padyshim që u bë pjesë e këtyre ritualeve në momentin kur fotografia u bë pjesë e jetës së njeriut në jetën e përditshme”, ka thënë At Mathew Kilukkan, një prift i Kishës Katolike Siro-Malabar.

Për zotin Bittu, mbulimi i një funerali mund të zgjasë nga pesë deri në 12 orë.

“Ndonjëherë, ne fillojmë natën para funeralit. Kur anëtarët e shquar të komunitetit vdesin, të themi një peshkop apo një yll filmi, ne gjithashtu dokumentojmë ardhjen e VIP-ave”, është shprehur ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA