Varësia e madhe ekonomike ndaj Kinës ka nisur të kthehet në shqetësim për krerët e bllokut evropian.
Deklaratat e fundit të shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell lënë të kuptohet se në Bruksel tashmë po hiqen paralele mes kësaj varësie dhe asaj energjetikë që Bashkimi Evropian kishte krijuar me Rusinë.
“Ne kemi vënë re, se varësitë, që kanë qenë gurë të ndërtimit të paqes mund të jenë edhe armë, që mund të drejtohen kundër nesh. Varësia e Evropës nga Rusia u bë shumë e qartë me fillimin e luftës në Ukrainë, kur Moska kufizoi furnizimet me gaz dhe BE duhet të kërkonte me urgjencë për furnizues të tjerë. Kjo varësi e bëri Putinin të besojë se mund të hynte në Ukrainë pa ndëshkim sepse Europa, nën varësinë 40% të furnizimeve me gaz nga Rusia, ishte e bllokuar”, ka thënë Borrell.
Një varësi e tillë nga Kina tani duhet shmangur, shtoi kryediplomati evropian. Borrell e parashtroi dhe zgjidhjen sesi mund të bëhet një gjë tillë. Ai e përcaktoi 2023-shin si “vitin kyç” për marrëveshje me vende të tjera, sidomos me Amerikën Latine, duke iu referuar kështu samitit të pritshëm në mes të korrikut mes BE-së dhe Komunitetit të Shteteve Amerikanolatine dhe Karaibeve, (CELAC).
“Europa dhe Amerika Latine kanë avantazhin të tregojnë, se marrëdhëniet e tyre ekonomike janë gjithmonë një burim i progresit”, tha i ngarkuari i bllokut për Politikën e Jashtme, duke nënvizuar se investimet evropiane në Amerikën Latine janë më të larta se ato të Rusisë, Kinës, Indisë dhe Japonisë “të marra së bashku”.
Top Channel