Dritan Çelaj është rast i veçantë i ardhur nga fusha e biznesit, në botën e artit, duke e konsideruar këtë pasion si pjesën tjetër të rëndësishme të jetës së tij, për të cilën gjen kohën dhe hapësirën më intime për të shprehur veten.
Që prej vitit 2000 kur nisi të krijonte, Çelaj ka realizuar më shume se 400 tablo kryesisht duke ushtruar ekspresionizëm me teknikën e vajit. Ajo çfarë i karakterizon pikturat e tij është energjia pozitive, freskia që vjen si rezultat i ngjyrave të ftohta që përdor. Nuk mungojnë portretet e trajtuara shpesh me një lloj brishtësie që e karakterizon punën përgjithësisht intuitive të e artistit.
Me këto punime ai sapo ka çelur një ekspozitë në Galerinë e Tiranës.
“Allow Colors” ose “Lejo ngjyrat”, vjen si një rrëfim i përjetimeve të tij brenda tranzicionit të shoqërisë shqiptare. Kërkimi i tij artistik kalon përmes peizazhit dhe natyrës njerëzore duke trajtuar gjithë kompleksitetin e saj. Megjithëse çdo periudhë ka treguar se një vepër arti merr jetë kur del jashtë studios, Dritan Çelaj ka zgjedhur që për vite me radhë e tij t’i mbajë të pa ekspozuara punimet e tij , duke mos lejuar që publiku të ndjekë nga afër ato.
Ky është hapi i parë i Dritan Çelaj drejt publikut, i cili duke e njohur atë si një personalitet të fushës së biznesit, përveç dashamirësisë, ka treguar edhe kuriozitetin apo vlerësimin për krijimtarinë e tij, të cilën tashmë mund ta ndjekim nga afër të gjithë.
Top Channel