Media britanike këtë fundjavë po ngrenë shqetësimin e tragjedive të reja në ngushticën detare të La Manshit mes Anglisë dhe Francës, pasi trafikantët e qenieve njerëzore, po përdorin gjithnjë e më shumë gomone artizanale, duke përdorur kompesatë jashtëzakonisht të holla si bazament, të cilat janë shumë më të rrezikshme.
Trafikantët po ashtu i ngarkojnë tej mase këto gomone, duke hipur në to deri 50 veta nga 12 që do duhet të marrin zakonisht. Nga Londra njofton korrespondenti i Top-Channel, Arben Manaj.
Trafikantët e qenieve njerëzore që operojnë në ngushticën e La Manshit mes Anglisë dhe Francës, gjithnjë e më shumë po aplikojnë mjete gjithnjë e më të rrezikshme në gjakimin e tyre për përfitime marramendëse, në kurriz të sigurisë së emigrantëve që tentojnë të mbrojnë në brigjet angleze. Është gazeta Inews e Londrës, e cila ngre shqetësimin dhe paralajmëron për tragjedira të pritshme në tentativat për kalime ilegale, pasi trafikantët po përdorin gomone jo të zakonshme me lëndë plastike, por ato artizanale, duke përdorur jo vetëm motor me fuqi të vogël motorike, por edhe kompensata druri mjaft të holla të cilat për shkak të lagështirës bymehen dhe janë më pak të qëndrueshme edhe për shkak të mbipeshës mund të shkaktojë tragjedira të reja në ngushticën detare.
Tubat plastike në pjesët anësore të gomoneve të improvizuara rrezikojnë të plasin, pasi ato nuk janë të pajisura me valvula presioni dhe në raste avarie emigrantët nuk kanë opsion veçse të mbahen në ujërat e akullt nëpër copat e kompesatave mjaft të holla që montohen në këto gomone artizanale, që janë më të lira se gomonet tradicionale edhe pse janë njëpërdorimshme.
Ministrja e Brendshme britanike Suella Braverman dhe qeveria e Rishi Sunak kane premtuar pakësimin e kalimeve me gomone dhe kanë mirtatur një Ligj të ri drakonian të Migracionit. Kalimet ende vazhdojnë edhe në muajt e parë të këtij viti kur deri pak javë më parë u raportua për 3 mije emigrantë të ardhur nga Franca me gomone, mes tyre edhe shumë shqiptarë, dhe pse me të pakët në numër.
Që kur janë njoftuar planet e reja të qeverisë britanike, erërat e forta dhe moti i ftohtë në La Mansh mendohet se kanë ngadalësuar shumë kalimet me gomone, ç’ka do të thotë se tabloja e vërtetë e asaj, nëse kjo politikë e re ka dekurajuara ose jo kalimet ilegale, mbetet ende e paqartë.
Top Channel