“Unë jam Endi Duhanxhiu. Më ndiqni në rrjete sociale, më plotësoni ëndrrën. Më suportoni ju lutem”…
Endi Duhanxhiu dashurinë që ka për jetën ka zgjedhur ta tregojë edhe në botën virtuale. Karrigia me rrota nuk e ka penguar në asnjë moment të bëjë gjërat që i pëlqejnë.
Pasi mbaroi studimet bachelor për administrim biznesi, ajo po vazhdon masterin për marketing. Ndërkohë tashmë njihet si një vlogere me kanalin e youtube dhe profiling në Tik Tok ku shfaq copëza nga përditshmëria e saj.
“Kur hodha videon e parë pata shumë komente negative. U bëra keq, mendova të hiqja dorë por jo mora kurajo sepse unë nuk ndryshoj dot, kjo jam… ata le të komentojnë, nuk e kuptojnë se një fjalë lëndon”– tha Endi Duhanxhiu.
Guximi për t’u përballur me jetën nuk i ka munguar asnjëherë, edhe pse vështirësitë kanë qenë të shumta, qoftë në paragjykimet që ka pasur apo rrezikun që ka hasur për shkak të infrastrukturës rrugore të mangët për një vajzë me aftësi të kufizuara. Megjithatë, Endit I pëlqen të jetë një vajzë e pavarur.
“Kurajo më jep familja. Ajo është gjëja më e rëndësishme për mua. Dua ti bëj gjërat vetë, edhe pse mami më thotë të të ndihmoj unë… por nuk duhet të pres çdo gjë nga të tjerët, ashtu demoralizohem”– tha Endi Duhanxhiu.
Endi nuk ka lejuar fatin të kufizojë ëndrrat e saj. 24-vjeçarja me vlogun e saj ka hedhur hapat e saj drejt punësimit në të ardhmen, edhe pse beson se ky rrugëtim nuk do të jetë i lehtë…
“Më pëlqen bota e internetit. Bota e televizionit. Ëndrrat pa lekë janë”- tha Endi Duhanxhiu.
Top Channel