Disa ditë më parë, policia e Tiranës goditi një grup të shpërndarjes së drogës, duke prangosur 20 persona dhe 4 të tjerë i shpalli në kërkim.

Por ky fenomen është edhe më masiv. Top Channel mëson se vetëm në 3 muajt e parë të këtij viti, janë arrestuar 85 shpërndarës ndërsa vitin e kaluar numri i tyre ishte 410.

Ajo që është vënë re nga hetimet e policisë dhe prokurorisë së kryeqytetit është se furnizues të caktuar të drogave të ndryshme që shpesh mbeten të pa identifikuar rekrutojnë shpërndarës të rinj në moshë dhe që janë dhe përdorues droge. Në këtë mënyrë ata arrijnë më lehtë të hyjnë në kontakt me blerësit në shkolla apo lokale nate apo edhe t’i shpëtojnë burgut nëse arrestohen pasi deklarojnë se e kanë për përdorim personal.

Duke u futur në këtë rrugë të paligjshme, shpesh këta të rinj që në raste të caktuara janë dhe nën 18 vjeç, për të blerë drogë shtyhen duke kryer vepra të tjera penale kryesisht vjedhje.

Por përveç kësaj, përdorimi masiv i drogës sjell dhe pasoja të rënda në shëndet. Top Channel mëson se në 24 ore në repartin toksikologjik në QSUT shkojnë për ndihmë mjekësore për shkak të komplikacioneve të shkaktuara nga droga 8 deri në 15 persona kryesisht në moshë të re maksimumi deri në 45 vjeç. Droga më e përdorur është kokaina.

Një fenomen në rritje që po shqetëson edhe mjekët është përdorimi i kokainës nga adoleshentët përfshi edhe vajzat. Sipas tyre 15% e pacientëve që vijnë me komplikacione nga droga janë adoleshentët.

Top Channel