Takimi në Londër/ Manaj: Edi Rama po i ofron Sunak një gomone që të kalojë oqeanin elektoral

23/03/2023 18:51

Korrespondenti i Top Channel në Londër, Arben Manaj, takimin e kryeministrit Edi Rama me Rishi Sunak e sheh si një moment të favor të kryeministrit anglez dhe britanikëve.

 

Në një lidhje direkte për emisionin “Top Talk”, Manaj u shpreh se kjo është një vizitë që u shërben padyshim britanikëve, por i shërben dhe kryeministrit shqiptar, Edi Rama, pasi është një lloj karameleje që britanikët i japin Shqipërisë pikërisht për nënshkrimin e marrëveshjes së riatdhesimit.

“Retorika e kryeministrit Rama në Londër sot, për mua është e vonuar. Kjo është një retorikë, e cila duhet të ishte zhvilluar në muajin dhjetor. Momentalisht, e kemi kapërcyer këtë çështje.

Ajo që shqiptarët e Britanisë së Madhe kanë problem kryesisht me kryeministrin Rama, është pikërisht nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje, sepse kemi të bëjmë me një Rishi Sunak që pranon Ramën në Downing Street dhe dëbon dhjetëra mijëra shqiptarë në Shqipëri”.

Sipas gazetarit, Rama me këtë takim po ndihmon Sunak për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Gjithsesi, çështja e emigrimit është se shqiptarët do të vazhdojnë të dërgohen në Shqipëri, siç thonë dhe autoritetet britanike. Shifrat variojnë, njëherë thonë 500, njëherë 800, shqiptarët do të vazhdojnë të kthehen falë kësaj marrëveshjeje.

Rama i ka ofruar Rishi Sunak një gomone pikërisht për të kaluar oqeanin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, ku ai e shikon çështjen e emigrimit, se vetëm falë kësaj marrëveshjeje që Britania e Madhe ka me Shqipërinë, është e vetmja mënyrë që ata të mund të ecin potencialisht drejt një fitoreje në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA