Albin Kurti u gjend përpara një breshërie kritikash në parlament ku iu kërkua të jepte shpjegime në lidhje me marrëveshjen e Ohrit.

Kryeministri u përpoq të shpjegonte se vetëmenaxhimi i komunitetit serb në Kosovë i parashikuar në këtë ujdi, nuk nënkupton vetëadministrim. Shigjetat e opozitës lidheshin sidomos me pikën 7 të dokumentit ku flitet për  “sigurimin e një niveli të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”.

Kryeministri theksoi para deputetëve se nuk mund t’u shmanget marrëveshjeve Kosovë-Serbi që janë arritur nga qeveritë e kaluara.

Në marrëveshjen e arritur në 18 mars në Ohër, specifikohet se të dy vendet duhet t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në të kaluarën, e kjo përfshin dhe krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kjo marrëveshje që nuk u zbatua asnjëherë deri më tani, ishte kundërshtuar ashpër nga vetë Kurti edhe gjatë kohës sa ishte në opozitë. Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, sot forcë politike opozitare, e fshikulloi për  zbrapsje nga qëndrimet e tij, ndërsa deputeti I LDK-së Kujtim Shala e ofendon rëndë duke e quajtur tradhëtar, cka bëri që Kurti të linte sallën.

“Kryeministri i Kosovës me një fjali mbrëmë e ka përmbysur të gjithë jetën e tij politike. Po, ka Asociacion dhe ka pasur Asociacion sa herë që ky ka thënë që nuk ka asociacion”, tha Krasniqi.

Top Channel