“Marrëveshja mes Beogradit dhe Prishtinës”/ Rama kërkon sqarim të menjëhershëm për deklaratën e Guterres ku nuk përmendet Kosova si shtet

21/03/2023 22:22

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj deklaratës së sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, që marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë e quan marrëveshje mes “Beogradit dhe Prishtinës”.

Në faqen zyrtare të Kombeve të Bashkuara, është publikuar deklarata e Guterres që mirëpret marrëveshjen për të cilën dy vendet ranë dakord në Ohër, por në asnjë rast nuk përmend Kosova si shtet.

Rama pyet nëse ky është gabim apo lapsus dhe kërkon sqarim të menjëhershëm.

“’Beogradi dhe Prishtina’?! Një gabim serioz apo një lapsus. Emërtimi zyrtar i saj është “Marrëveshja drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi” dhe do të ishte e papranueshme nëse sekretari i Përgjithshëm nuk e ka përdorur qëllimisht emërtimin e duhur. Ju lutem, jepni menjëherë sqarim”.

Më 18 mars, në Ohër, pas më shumë se 12 orë negociatash mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç është arritur marrëveshje mbi Aneksin e zbatimit të Planit evropian për dialogun, por pa nënshkrim të palëve. Megjithatë, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka thënë se marrëveshja dhe aneksi për zbatimin e saj konsiderohen të aprovuara.

Kosova ende nuk është pjesë e organizatës së kombeve të bashkuara, pasi jo të gjitha shtetet e njohin pavarësinë e saj. Kjo ka qenë dhe një pikë kryesore debati mes dy vendeve, pasi Serbia në mënyrë të vazhdueshme organizon fushata ç’njohjeje, ndërsa e konsideron si vija e saj e kuqe njohjen e vendit nga OKB.

Por, me marrëveshjen e normalizimit Serbia është zotuar se nuk do të pengojë Kosovën të anëtarësohet në BE dhe NATO, pasi janë dy organizma në të cilat nuk është vend pjesëmarrës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA