Marrëveshja në Ohër/ Bytyçi në “Top Talk”: Ja pse është më shumë pro Serbisë, sesa pro Kosovës

20/03/2023 17:56

Marrëveshja mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksander Vuçiç, për të cilën u ra parimisht dakord, është më shumë pro Serbisë se sa pro Kosovës, shprehet analisti Enver Bytyçi.

I ftuar në emisionin “Top Talk”, Bytiçi tha se “vetë marrëveshja, ishte më shumë pro Serbisë se sa pro Kosovës”.

Duke folur për faktin se marrëveshjen e arritur parimisht në Ohër të shtunën, Vuçiç nuk e ka firmosur, analisti kujton edhe rastet të tjera kur presidenti serb ka nënshkruar marrëveshje por nuk i ka zbatuar.

“Ne jemi mësuar të shohim një Aleksander Vuçiç që nënshkruan, ndonëse thotë se nuk nënshkruan me Kosovën se nuk është shtet. Në fakt, ka nënshkruar në Kosovë edhe më parë, kur nuk ishte shtet, por nuk ka zbatuar asnjë marrëveshje që ka nënshkruar.

Në rastin konkret, Vuçiç dëshiron t’i ikë nënshkrimit sepse nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje ka më shumë garanci se marrëveshjet e mëparshme. Ka më pak hapësirë për t’i ikur zbatimit të saj. Ka një trend që ai nuk mund ta largojë prej vetes, duke e çuar patjetër për ratifikim në parlamentin e Serbisë”.

Sipas analistit, ka një arsye tjetër se përse Vuçiç nuk e nënshkruan marrëveshjen.

“Verbalisht thotë se është dakord me marrëveshjen, por ka një arsye tjetër. Nënshkrimi i marrëveshjes cenon rëndë interesat e Rusisë në Ballkan, për pasojë Vuçiç nuk është i gatshëm që të shkëpusë përfundimisht lidhjet me Kremlinin. Ose ka dhe frikë nga kjo ndarje”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA